Mal i Zi, ceremoni përkujtimore për viktimat e tragjedisë

63
Sigal

Një ceremoni përkujtimore u mbajt të dielën në Cetinje të Malit të Zi për ata që humbën jetën pasi një sulmi me armë zjarri nga një 34-vjeçar. Dhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, u vranë të premten dhe policia thotë se autori kohët e fundit kishte shfaqur një “ndryshim në sjellje”. Familjet e viktimave, së bashku me zyrtarët më të lartë malazezë morën pjesë në ceremonin për të bërë nderimet e tyre. Për tragjedinë Mali i Zi shpalli tre ditë zie kombëtare të shtunën.

Në qytetin e Cetinjes mbizotëron heshtja dhe dhimbja për 10 personat e vrarë ditën e premte nga 34-vjeçari Vuk Boriloviq.

Të dielën të afërmit e viktimave mbajtën një shërbim përkujtimor, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryeministri e presidenti i vendit. Në çdo fotografi të viktimave ishte vendosur një trëndafil i bardhë.

Nga hetimet paraprake policia thotë se autori i sulmit kohët e fundit kishte shfaqur një “ndryshim në sjellje”. Vuk Boriloviq përdori një armë gjuetie për të qëlluar fillimisht për vdekje dy fëmijë, 8 dhe 11 vjeç, dhe nënën e tyre. Kjo e fundit jetonte si qiramarrëse në shtëpinë e tij në qytetin e Cetinjes.

Më pas 34-vjeçari doli në rrugë dhe qëlloi pa shkak ndaj 13 persona të tjerë. Shtatë prej tyre humbën jetën. Personi i armatosur u qëllua për vdekje më vonë pas një përplasje me policinë.

Autoritetet ende vijojnë hetimet, ndërsa njerëzit e afërt me sulmuesin thanë se ai kohët e fundit kishte filluar të shfaqte një “ndryshim në sjellje, por ata nuk kishin parë shenja se ai mund të kryente një krim të tillë”. Sipas tyre 34-vjeçari kishte lënë dhe një takim me një specialist të shëndetit mendor.

Në deklaratën e policisë thuhet se oficerët e zbatimit të ligjit të dërguar në vendngjarje u sulmuan nga 34-vjeçari dhe me pas u kundërpërgjigjën duke qëlluar ndaj tij të paktën 20 herë dhe duke e plagosur rëndë.

“Është ende duke u hetuar nëse ai vdiq si rezultat i plagosjes së rëndë nga policia apo nga plumbat që dolën nga arma e një banori lokal”, thuhet në deklaratën e policisë.

Dëshmitarët e sulmit nga tronditja e madhe ende nuk mund ta kuptojnë atë që kanë ndodhur. Ata flasin për skena kaotike dhe tmerrit teksa personi i armatosur qëllonte drej njerëzve të pafajshëm që po bënin punët e tyre të përditshme.

“Nuk mendoj se një njeri normal mund ta bëjë këtë, në atë moment diçka duhet t’i ketë shkuar keq në kokë dhe ai nisi të qëllonte për aq kohë sa kishte municion. Kjo është një tragjedi e paprecedentë, nuk mund të përshkruhet kurrë me fjalë” , thotë Sreten Vujoviq, banor në Cetinje.

“Ndiej vetëm inat. Jam i vetëdijshëm që asgjë nuk do të jetë si më parë, shumë familje janë thyer, është e papërshkrueshme me fjalë”, thotë Bajko Stanojeviq, një tjetër banor.

Gjashtë personat e plagosur janë dërguar në spitalet e Cetinjes dhe Podgoricës dhe tre prej tyre janë ende në gjendje të rëndë në terapi intensive.

“Pacienti i parë ndodhet në repartin neurokirurgjik ku po e trajtojnë kolegët e mi. Tre të tjerë janë në terapi intensive ende pas operacioneve që kanë bërë. Ata do të qëndrojnë në terapi intensive”, thotë Ivan Terzic, neurokirurg.

Për tragjedinë Mali i Zi shpalli tre ditë zie kombëtare të shtunën.