Lufthansa shpallet “Linja më e Mirë Ajrore e Europës” për të dytin vit radhazi

Linja ajrore gjermane Lufthansa është vlerësuar sërish me titullin “Europe’s Leading Airline” në World Travel Awards 2025, të mbajtur javën e kaluar në Sardenjë, Itali, çmime që njihen si çmimet “Oscar” të turizmit.

Kjo është hera e 13-të që Lufthansa fiton këtë titull që prej fillimit të ndarjes së çmimeve në vitin 1993, ndërsa periudha 2011–2016 ka qenë një seri e pandërprerë fitimesh. Këtë vit, ajo mori edhe çmimet për “Linjën më të Mirë në Klasën Ekonomike” dhe “Markën më të Mirë Ajrore”.

Sigal

Lufthansa fluturon drejt më shumë se 200 destinacioneve në mbarë botën dhe renditet e dyta në Europë për numrin e pasagjerëve, pas Ryanair.

Brenda Grupit Lufthansa bëjnë pjesë edhe kompani si Swiss International Air Lines, Brussels Airlines, Austrian Airlines, Eurowings, Edelweiss Air, Air Dolomiti dhe Discover Airlines.

Swiss u vlerësua me dy çmime të tjera të mëdha: “Linja më e Mirë për Klasin e Parë” dhe “Linja më e Mirë për Klasin e Biznesit” në Europë.

Çmimet World Travel Awards vlerësojnë më të mirët në industrinë botërore të turizmit dhe udhëtimeve, nga linjat ajrore dhe hotelet te destinacionet e pushimeve, duke marrë në konsideratë cilësinë, përpikmërinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimit.

Fituesit zgjidhen përmes një votimi të kombinuar nga profesionistët e industrisë dhe publiku, ku votat e profesionistëve peshojnë më shumë.

Në listën e dhjetë linjave më të mira europiane përfshiheshin gjithashtu British Airways, KLM Royal Dutch, Air France, Turkish Airlines, Iberia, TAP Air Portugal, SAS Scandinavian Airlines dhe Icelandair.

Ndërkohë, Aeroporti i Zyrihut fitoi çmimin “Aeroporti më i Mirë i Europës”, ndërsa THE LOFT by Brussels Airlines & Lexus dhe No.1 Lounge i Heathrow Terminal 2 u vlerësuan si “Sallat më të Mira të Pritjes”.

Në kategorinë e destinacioneve, Portugalia u shpall destinacioni më i preferuar europian, Batumi në Gjeorgji u vlerësua si destinacioni më i mirë gjithë sezonin, dhe Madeira mori titullin “Ishulli më i Mirë Europian”.

Edhe Trinity College në Dublin fitoi çmimin për “Atraksionin Akademik më të Mirë në Europë”.

“Fituesit tanë janë shembuj të shkëlqyer të përsosmërisë në turizëm dhe po e ngrejnë nivelin e industrisë në të gjithë kontinentin,” – tha Graham Cooke, themelues i World Travel Awards.