Lufta tregtare, Trump i shtrin dorën Kinës, festojnë bursat

453
Sigal

Donald Trump dëshiron të arrijë një marrëveshje mbi tregtinë me presidentin kinez Xi Jinping me të cilin do të takohet në margjina të G20 në Argjentinë në fund të nëntorit.

Për këtë ai kërkoi nga administrata e tij të zhvillonte një projekt-marrëveshje, raporton agjensia Bloomberg, duke cituar burime pranë dosjes.

Shtytja drejt një marrëveshjeje të mundshme vjen pas bisedave telefonike mes Trump dhe Xi Jinping.

“Kam pasur një telefonatë të gjatë dhe shumë të mirë me presidentin Xi Jinping të Kinës dhe kemi biseduar për shumë çështje, me fukus tregtinë”, tha Trump.

Xi, nga ana tjetër, tha se ishte “shumë i lumtur” nga bisedimet me Trump dhe se “i jep rëndësi të madhe marrëdhënieve të mira me presidentin”, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve kineze Xinhua.

Kreu kinez tha se do të donte të takohej me Trump në G20.

“Ekipet ekonomike të të dy vendeve – tha presidenti kinez – duhet të forcojnë kontaktet, të bëjnë konsultime mbi çështjet me interes të përbashkët dhe të shtyjnë drejt një zgjidhje reciprokisht të pranueshme për çështjet ekonomike dhe tregtare të Kinës dhe SHBA-së.

“Shkrirja” e akujve mes SHBA dhe Kinës dha menjëherë efektin në bursat aziatike.
Tokio e mbylli me një rritje me 2.56%, Seuli me 3.53%, Shanghai 2.7%, Shenzhen 3.43% ndërsa Hong Kongu, duke tregtuar ende në vazhdim, përparoi me 3.5%.

Për bursat aziatike ky është sesioni më i mirë që nga prilli 2016.