Letra e Kurtit për kryeministrin maqedonas: Pse nuk vij në “Ballkanin e Hapur”

154
Sigal

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në samitin e Ballkanit të Hapur, që pritet të mbahet më 7 – 8 qershor në Ohër.

Por Kurti i është përgjigjur me një “refuzim diplomatik”. Në një letër drejtuar homologut të Maqedonisë së Veriut, Kurti nuk ka thënë se e refuzon pjesëmarrjen, por as nuk e ka pranuar ftesën.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Prishtinës, Kurti ka shpjeguar edhe njëherë qëndrimin e Kosovës dhe si e sheh ai bashkëpunimin rajonal.

Republika e Kosovës mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë. Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian”, – thuhet në letrën e Kurtit për kryeministrin maqedonas.

Sipas Kurtit, të dyja vendet ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë reforma që luftojnë korrupsionin, promovojnë sundimin e ligjit, avancojnë ekonomitë tona dhe rrisin mundësitë për të gjithë. Dhe pse të dyja vendet tona rreshtohen vazhdimisht me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe kundërshtimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, ku ne shpejt e dënuam dhe vendosëm sanksione kundër Federatës Ruse, pavarësisht vështirësive ekonomike”, thuhet më tej në letër.

Sipas Kurtit. Këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat e BE-së dhe vlerat e BE-së.

“Dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë. Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë.

Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, – thuhet në letër.

Ditë më parë, kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se do të marrë pjesë në këtë samit. Deri më tash, Mali i Zi, bashkë me Kosovën e Bosnjë-Hercegovinën kanë refuzuar këtë nismë, të themeluar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.