Lamtumirë Alitalia. Sonte fluturimi i fundit! Kishte 6% të tregut edhe në Shqipëri

188
Sigal

Alitalia ul siparët. Ky version i Alitalia-s. Pas falimentimit të investitorëve italianë privatë dhe miliarderëve nga Emiratet, si dhe pas negociatave të dështuara me linja ajrore që do të ndryshonin rrjedhën e historisë dhe një ushtri me komisionerë, linja ajrore trengjyrëshe ul sonte siparin, pas 1627 ditë administrimi të jashtëzakonshëm (dhe 1.8 miliardë euro para publike) duke lënë pas një mal me dosje ende të hapura.

Por elementet e saj dalluese do të rishfaqen disa orë më vonë, nëpërmjet një kompanie tjetër publike, Italia Trasporti Aereo (ITA), e cila do të përdore të njëjtët aeroplanë, të njëjtat uniforma, të njëjtin kod fluturimi, të njëjtin identifikim biletash dhe, me shumë gjasa, të njëjtën markë trengjyrëshe. Ditët e fundit, Alitalia ka marrë ofendime nga udhëtarët për fluturimet e anuluara dhe postime të shumta emocionale nga punonjësit, por edhe nga pasagjerët.

 

 

Fluturimi i fundit

Fluturimi i fundit “Alitalia-Sai in a.s.” AZ1586 parashikohet sot, e enjte 14 tetor, me nisje nga Cagliari në orën 22:05 dhe mbërritje në Aeroportin e Fiumicino-s në Romë, në orën 23:10 – me 177 pasagjerë në avion, nën drejtimin e komandantit Andrea Gioia.

Ky do të jetë edhe udhëtimi i fundit i vazhdimësisë territoriale në Sardenjë. Në shtatë muajt e ardhshëm, fluturimet midis Cagliari, Olbia, Alghero e Milano dhe Romë do të kryhen nga linja ajrore low cost spanjolle Volotea, e cila fitoi sfidën duke propozuar çmimet më të ulëta.

Nëse në kryeqytet, Alitalia do të mbyllet përfundimisht (me 10.500 punonjësit e saj), në Milano do të hapet ITA (Italia Trasporto Aereo S.p.A., kompani e re italiane në pronësi të shtetit). Fluturimi i parë parashikohet nesër, 15 tetor, në orën 6:20 me fluturimin AZ1637 Linate-Bari. Mbetemi në pritje të kuptojmë se çfarë do të ndodhë me markën Alitalia, e cila është e pranishme në 51 avionë të tjerë, që kompania e re do t’ia marrë në pronësi së vjetrës.

AlItalia kishte 6% të tregut të fluturimeve në Shqipëri

“Alitalia” prej vitesh operon dhe në tregun shqiptar, por pesha e saj ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Nga 32% në 2015-n (më i madhi pas daljes nga tregu të “Belle Air”), në vitin 2020, përmes operatorit ajror italian u realizuan vetëm 6% e fluturimeve, sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport.

 

Pak historik

  • Alitalia u themelua në Romë, më 16 shtator 1946, me emrin Alitalia-Aerolinee Italiane Internazionali.
  • Fluturimi parë u bë më 5 maj 1947, nga Torino në Romë, një Fiat G12 (avion i dikurshëm lufte) i cili transportoi 18 pasagjerë. Bileta kushtonte 7 mijë lireta.
  • Dy muaj më vonë – fluturimi i parë ndërkombëtar, nga Roma në Oslo. Në mars 1948 u përurua fluturimi i barë interkontinental, i cili zgjati rreth 36 orë, nga Milano në Buenos Aires, me ndalesa të ndërmjetme në Romë, Dakar, Natal, Rio de Zhaneiro dhe San Paolo.
  • Në vitet 1949 – 1950 rritet flota, hyjnë në shërbim stjuardesat e para të linjës ajrore dhe në avionë shërbehen ushqime të nxehta.
  • Tashmë në pronësi të Iri, në vitin 1957 ajo bashkohet me një kompani tjetër, po në pronësi të Iri, duke krijuar Alitalia-Linee Aree Italiane.
  • Në vitin 1960 bëhet sponsor zyrtar i Lojërave Olimpike në Romë.
  • Në 1970, Alitalia është ndër kompanitë e para në botë që mburrej pasi kishte në flotën e saj Boeing 747, gjiganti simbol i qiellit.
  • Fluturimi  AZ 408, Romë-Gjenevë, 17 gusht 1989, datë historike: komandante e udhëtimit është Antonella Celletti, gruaja e parë pilote e Alitalia-s. / Corriere della Sera