Ministrja Kushi nga seanca plenare inkurajon fort studentët që të vaksinohen

44
Sigal

Ditën e sotme në seancë plenare, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Kushi ka trajtuar edhe çështjen e vaksinimit të studentëve. Në fjalën e saj, ajo nënvizoi në shumë shtete është marrë vendimi për vaksinimin e detyrueshëm të pedagogëve, studentëve dhe të gjitha stafeve universitare në mënyrë që të rikthehet normaliteti në universitete, ashtu sikurse edhe në sektorët e tjerë të shoqërisë.

Ajo cilësoi gjithashtu se pandemia kudo në botë sot ka sjellë edhe një pasojë tjetër, atë të rritjes më shumë të pabarazisë sidomos për shtresat e margjinalizuara.

“Konkretisht në këtë rast për studentët e margjinalizuara që vijnë nga familje me të ardhura më të ulëta apo nga komunitete të caktuara, dhe që aksesin për mësimin online e kanë shumë më të vështirë se studentët e tjerë. Prandaj universitetet sot përveçse kanë detyrimin si shumë institucione të tjera që të ruajnë shëndetin e studentëve e pedagogëve, të garantojnë shëndetin dhe të ardhmen e tyre, kanë edhe detyrimin etik dhe moral që të nxisin më shumë barazi nëpërmjet edukimit”, tha Ministrja Kushi.

“Por kjo nuk mund të bëhet, nuk mund të arrihet nëse ne nuk luftojmë rrezikun dhe frikën nga pandemia e COVID-19 në mjediset universitare. Dhe mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për ta bërë këtë është vetëm vaksinimi masiv i studentëve dhe pedagogëve dhe i gjithë stafeve”, – thekson gjithashtu Kushi.

Ajo gjen rastin të falënderojë të gjithë studentët që i janë bashkuar kësaj fushate dhe që po na ndihmojnë që të rikthejmë normalitetin edhe në universitete ashtu sikurse dhe në institucionet dhe fushat e tjera.

“Pas pak ditësh fillon viti i ri akademik dhe të gjithë presim me padurim rikthimin e studentëve në auditorë dhe rigjallërimin e jetës universitare. Por ne të dashur studentë duam që të gjithë të ktheheni në auditorë pa rrezikuar jetën tuaj, jetën e familjarëve tuaj, jetën e pedagogëve dhe të komunitetit në tërësi. Prandaj këtë javë ne e kemi shpallur si java e vaksinimit masiv të studentëve, për t’ju dhënë edhe një mundësi që t’i bashkoheni akoma më shumë këtij procesi”, u shpreh Kushi.

“Vetë studentët i inkurajoj fort që t’i bashkohen sa më shumë këtij procesi. Ta shfrytëzojnë këtë mundësi që së bashku të garantojmë një fillim sa më mbarë dhe një vit akademik të suksesshëm. Testi PCR natyrisht që është një opsion, por unë do të këmbëngulja fort për vaksinimin, sepse vaksinimi është mënyra më e mirë edhe duke u bazuar në të dhënat e shkencës, por edhe duke u bazuar në praktikat më të mira të vendeve të tjera, qoftë vendeve të rajonit, por qoftë edhe vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian”, tha ndër të tjera Ministrja Kushi.

Në fund, Znj. Kushi cilëson rëndësinë e vaksinimit edhe për një arsye tjetër:

“Ka dhe një arsye tjetër në fakt, jo vetëm për ne, por për të gjithë përfshirë edhe studentët, pasi kjo, ky proces është detyrim edhe ndaj shtresave vulnerabël, është dhe detyrim ndaj atyre që janë më të pambrojtur. Pra, ne kemi dhe detyrimin të mbrojmë ata që nuk vaksinohen dot për një arsye apo për një tjetër që sipas udhëzimeve të mjekut nuk vaksinohen dot. Atëherë ne që mund të vaksinohemi e kemi detyrim dyfish për të mbrojtur veten tonë, familjet tona, komunitetin, por për të mbrojtur edhe ata, ata që janë më shumë të rrezikuar”, tha ajo.