Kush është shteti që tërhoqi njohjen e pavarësisë së Kosovës pas ndërhyrjes së Serbisë

531
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka deklaruar se shteti i Surinamit në Amerikën e Jugut ka marrë vendim për tërheqjen e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, shkruajnë mediat serbe. Daçiç këto komente i bëri gjatë një konference të jashtëzakonshme për media që e kishte caktuar sot, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, këtë vendim e ka komunikuar Ministria e Punëve të Jashtme të Surinamit, duke shtuar se është punuar dhe negociuar shumë për ta bindur Surinamin të tërheqë njohjen e pavarësisë.
“Vendimi për tërheqjen e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës ka ardhur më 30 tetor. Një vendim i tillë tregon se duhet këmbëngulur dhe të bisedohet me të gjithë, nëse dëshirojmë që Kosova të jetë interes nacional. Kjo gjithashtu tregon se jo gjithçka ka përfunduar, siç mendojnë disa”, ka shtuar shefi i diplomacisë serbe.
Telegrafi ka provuar të marrë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës nëse ka tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës Surinami, por nuk ka ende asgjë zyrtare nga ana e Qeverisë së Kosovës.


Sigal