Kundërshtojnë autostradën e re në Touluse, policia franceze përplaset me protestuesit

16
Sigal

Gaz lotsjellës, goma të djegura dhe goditje me objekte shiheshin në përplasjet e sotme në Saix në jug të Francës, teksa protestuesit kundërshtonin planet e ndërtimit të një autostrade të re që duhet të lidhë qytetet Toulouse me Castres. Të rinj aktivistë nga disa vende të Evropës kishin ardhur për t’iu bashkuar protestës kundër autostradës, mes të cilëve dhe Greta Thunberg.

Zyrtarët francezë kishin shpallur të jashtëligjshme grumbullimet në Saix, me argumentimin se “rrezikonin të lëndonin rendin publik”, shkruan rrjeti AFP. Por grupi organizator ‘Cabanade’ vijoi sot me protestën ku policia përdori gaz lotsjellës dhe bëri disa arrestime, mes rreth njëqind protestuesve.

Rreth 350 metra më larg aktivistët kishin ngritur një kamp në një tokë private, që e quanin “zonë për t’u mbrojtur” ku kishin vendosur tabela, kabina e tualete. Policia lëshoi gaz lotsjellës ndaj tyre por nuk depërtoi në zonën e mbrojtur pasi gjendej në tokë private. Fotografët e rrjetit AFP dëshmonin sesi aktivistët u kthenin policëve gazin lotsjellës me raketa tenisi.

Aktivistët kanë protestuar disa herë javët e fundit kundër ndërtimit të autostradës por qeveria thotë se do të kompletojë kalimin A69 për të shkurtuar kohën e udhëtimit me 20 minuta.