Kryeministri armen i hapur për negociata me Azerbajxhanin: Ne duhet të njohim integritetin territorial të njëri-tjetrit

102
Sigal

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, mbajti një fjalim në Asamblenë Kombëtare të këtij vendi, ku iu referua marrëdhënieve me Azerbajxhanin dhe statusit të Nagorno-Karabakut.

Gjatë fjalimit para përfaqësuesve, Pashinyan tha se qëllimi i qeverisë së drejtuar prej tij është të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Azerbajxhanin sa më shpejt të jetë e mundur.

“Është dëshira ime e sinqertë që ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur. Marrëveshja e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit do të bëhet realitet nëse të dyja vendet, pa paqartësi dhe kurthe, njohin integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe angazhohen që nuk do të kenë kurrë më pretendime territoriale”, tha Nikol Pashinyan.

Ai theksoi se Armenia e njeh plotësisht integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe pret që Baku të njohë integritetin territorial të Armenisë duke njohur të gjithë territorin që nga periudha e Republikës Sovjetike Armene.

“Megjithatë, këtu kemi ardhur te problemi më i madh dhe më kompleks – Nagorno-Karabaku. Gjatë konfliktit në këtë pjesë, parimi i integritetit territorial dhe parimi i vetëvendosjes u vendosën krah për krah. Ky në fakt paraqet një realitet që ne nuk e kemi pranuar, por që ekziston, pavarësisht nga pozicioni ynë. Është e rëndësishme që të krijohet një mekanizëm midis Baku dhe Jerevanit që siguron zbatimin e agjendës për garantimin e të drejtave dhe sigurisë së armenëve nga Nagorno-Karabaku”, tha kryeministri i Armenisë.

Ndryshe, marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Nagorno-Karabakun, i njohur gjithashtu si Malësia e Karabakut, territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Në vitin 2020, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe mbi 300 vendbanime dhe fshatra që ishin të pushtuara nga Armenia, dhe luftimet përfunduan me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia.