Krizë, konflikt dhe kafe nga fotografi Steve McCurry

462
Fotoreporteri amerikan Steve McCurry është një kontribues i rregullt për National Geographic dhe është i njohur për realizimin e fotografive gjatë konflikteve të armatosura në gjithë botën. Fotografi i talentuar Steve McCurry, është personi që realizoi edhe një prej fotove më të njohura të kohës sonë, “Vajza afgane” (1984).
Fillimisht McCurry kishte planifikuar të studionte për film dhe kinematografi, por në vitin 1974 u diplomua në “Penn State University” me një diplomë të artit teatral.
“Në momentin që fillova të njihesha pak më mirë me fotografinë zbulova se i përshtatej shumë personalitetit tim. Realizimi i fotografive më vinte më natyrshëm dhe më spontanisht”- tha fotografi.
McCurry i bë i njohur kur filloi të fotografonte gjatë konfiktit në Afganistan, pak para pushtimit sovjetik në 1979. Ai ishte ndër të parët që morën përsipër të mbulonin fotoraportimin e konfliktit në Afganistan dhe për punën e tij të vyer fitoi medaljen e artë “Robert Capa”, për raportimin më të mirë fotografik nga jashtë vendit. Në këtë mënyrë, u vlerësua edhe për guximin e jashtëzakonshëm të treguar gjatë luftës.
“Nëse do të afrohesh me njerëzit dhe me kulturën e tyre, duhet të thyesh barrierat ndarëse mes teje dhe atyre njerëzve”- thotë fotografi duke reflektuar mbi mesazhet e një karriere 30-vjeçare gjatë së cilës ka udhëtuar përreth planetit.
Libri i tij i ri titullohet “Nga këto duar” dhe është një udhëtim përgjatë plantacioneve të kafesë, një koleksion fotosh që dokumentojnë jetën e komunitetit të kultivuesve të kafesë rreth botës. Libri është një kombinim i materialeve të arkivuara dhe fotografive të reja.

Sigal