Kosovë/ Ministria e Kulturës premton mbështetje për komunën e Mitrovicës

462
Sigal

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Shala, i shoqëruar nga zëvendësministri Rexhep Hoti dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, zhvilluan një vizitë në Mitrovicë, ku u pritën nga kryetari Agim Bahtiri. Zyra për shtyp e MKRS-ë thekson se temë e takimit ishte bashkëpunimi ndërmjet MKRS-së dhe komunës së Mitrovicës. Sakaq, Ministri Shala u shpreh për mediat se qëllimi i vizitës në Mitrovicë ishte që të njihet më afër me problemet të cilat lidhen me institucionet e kulturës, sportin, si dhe politikat e rinisë, për të cila, sipas ministrit Shala, është i nevojshëm bashkëpunimi dhe bashkëveprimi ndërmjet MRKS-së dhe komunës.

Gjithashtu ministri Shala theksoi se qëllimi i vizitës së tij në këtë qytet ishte jo vetëm për inspektimin e punimeve në disa objekte ku po zhvillohen punimet dhe ku MKRS-ja financon, por edhe të shihen mundësitë rreth projekteve të tjera. Nga ana tjetër, Kryetari Bahtiri e falënderoi ministrin Shala për mbështetjen që i ka dhënë Mitrovicës, sidomos për investimet e rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës sportive në këtë qytet, si dhe për rinovimin e shtëpisë së ”Xhafer Devës.” Pas takimit në komunë, ministri Shala i shoqëruar nga zëvendësministri Hoti, kryetari Bahtiri, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, inspektoi punimet në stadiumin “Riza Lushta”, në Palestrën Sportive “Minatori”, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, si dhe në Qendrën Sportive Multifunksionale.