Kosovë, Blerand Stavileci, shenjestra e radhës e vezëve të Vetëvendosjes

437
Sot Lëvizja Vetëvendosje ka gjuajtur me vezë Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Stavileci është një nga përgjegjësit për shkatërrimin ekonomik të Kosovës. “Ai bashkë me Kryeminsitrin Isa Mustafa, u tërheqën nga Ligji për Trepçën, meqë një gjë të tillë e kërkoi Beogradi. E për t’i shkuar edhe më për shtati politikave të Serbisë mbi Kosovën, Ministri Blerand Stavileci dje në Beograd nuk guxoi asnjëherë ta përmend fjalën Republikë, pra nuk guxoi të thotë “Republika e Kosovës”, përderisa në anën tjetër Marko Gjuriq vazhdimisht i referohej Kosovës si Kosovë e Metohi”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Shenjestër e sulmit me vezë nga Vetëvendosja kanë qenë disa nga zyrtarët e lartë qeveritarë, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. Vetëvendosje disa herë ka bërë të ditur se nuk do të ketë qetësi për qeveritarët derisa të mos jenë tërhequr dy marrëveshjet, ajo e demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe me Serbinë.
Sigal