Ambasadorja e Kinës viziton Qendrën e Autizmit në Farkë, për festat e fundvitit

462
Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Sh.S.Znj. Jiang Yu me ftesë të Fondacionit Fëmijët Shqiptarë ka vizituar në prag të festave të fundivitit Qendrën Rajonale të Autizmit në Farkë si dhe I është bashkangjitur organizimit festiv që kjo qendër si dhe ajo nr.2 në Sauk zhvilluan për fëmijët e tyre. Në këtë vizitë Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Sh.S.Znj. Jiang Yu, e shoqëruar nga zonja të tjera të stafit diplomatik të ambasadës, u prit nga presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptar Dr.Liri Berisha, nga drejtori shkencor i Qendrës Rajonale për Autizmin Dr.Ariel Çomo si dhe nga doktoresha e qendrës Donika Naqi.

Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Sh.S.Znj. Jiang Yu fillimisht u njoh me ambientet terapeutike të Qendrës Rajonale për Autizmin në Farkë ku Dr. Liri Berisha I shpjegoi me detaje punën që zhvillohet aty, metodat që përdoren si dhe arritjet e deritanishme me fëmijët autik. Në takimin e përbashkët Dr.Liri Berisha I shprehu mirënjohjen e thelle Ambasadores së Republikës Popullore të Kinës, Sh.S.Znj. Jiang Yu për vizitën e saj në këtë qendër si dhe vlerësoi shumë vëmendjen personale të saj ndaj fenomenit të autizmit.

Ndërmjet të tjerash ajo u shpreh: “E vlerësoj shumë ardhjen tuaj si Ambasadore në Shqipëri dhe në emër të stafit dhe të prindërve ju uroj mirëseardhjen në qendrën rajonale për Autizmin në Farkë. Ardhja juaj këtu është vlerësim për qendrën. Ju u përgjigjët ftesës sonë menjëherë dhe kjo është impresionuese për ne sepse tregon interesimin tuaj si grua për problemet e fëmijëve dhe prindërve të tyre. Ne e vlerësojmë shumë këtë vizitë pasi përfaqësimi si ambasadore e një vendi kaq të madh dhe të zhvilluar siç është Kina, flet për rëndësinë që I jepet sot këtij çrregullimi. Nga kontaktet tona me përfaqësues të organizatës Ndërkombëtare “Autism Speaks” kemi marrë informacion se Kina është një vend që investon, punon dhe ka rezultate të larta në botë në këtë drejtim”.

Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Sh.S.Znj. Jiang Yu, vlerësoi shumë punën e bërë në këtë qendër dhe shprehu mirënjohjen e saj për ngjalljen e shpresës tek familjet e fëmijëve me çrregullim të spektrit Autik. Ndërmjet të tjerash ajo u shpreh: “Jam shumë e prekur nga ajo që shoh këtu. Kjo tregon se ju keni punuar shume për të ngjallur shpresën e humbur tek këta njerëz. Unë shoh këtu fëmijë të lumtur që nuk dallohen nga fëmijët e tjerë normal dhe kjo gjë tregon se jeni në rrugën e drejtë. Mes popujve tanë ekziston një miqësi e vjetër , gjë që duhet të shtrihet edhe në fusha të tjera si shëndetësi, kulturë etj”.

Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Sh.S.Znj. Jiang Yu, solli për fëmijët disa dhurata ndërkohe që Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë Dr. Liri Berisha mes shkëmbimeve të dhuratave I dha ambasadores në shenjë mirënjohjeje edhe një pikturë të bërë nga një fëmijë me çrregullim të spektrit autik. Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Sh.S.Znj. Jiang Yu u shpreh e mrekulluar për këtë dhuratë dhe shprehu interes të njihej me autoren e vogël të saj Sarën dhe familjen e saj me të cilët ndau disa momente të veçanta gjatë festës që zhvillohej në qendër. Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Sh.S.Znj. Jiang Yu, gjatë momenteve festive përshëndeti fëmijët dhe prindërit e tyre si dhe u takua me disa prindër të kësaj qendre.
Sigal