Komuniteti boshnjak në Bruksel protestë për krizën politike në Bosnje Hercegovinë

133
Sigal

Diaspora boshnjake mbajti të hënën një protestë në Bruksel, për të denoncuar krizën politike që ka përfshirë aktualisht Bosnje e Hercegovinën.

Qëllimi i tyre ishte të ndërgjegjësonin politikën evropiane për rritjen e kërcënimeve ndaj integritetit territorial të vendit, që u krijua pas luftës së viteve ’90.

“Ne nuk duam që ngjarjet që ndodhën në vitet ’90 të përsëriten. Mendoj se rreziku më i madh në Bosnje aktualisht është përçarja. Përçarjet mes myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve. Ky është rreziku më madhor dhe ajo që ne duam përmes kësaj proteste është të jetojmë në paqe”, tha një qytetare.

“Populli boshnjak nuk duhet të përçahet. Bosnja duhet të mbetet e bashkuar”, u shpreh një tjetër.

“BE duhet ta ndihmojë popullin boshnjak e jo ta braktisë si në 92-shin”, tha një qytetar.

Tensionet u rritën sërish të dielën, kur serbo-boshnjakët e Republikës Serbe mbajtën një paradë ushtarake, gjatë të cilës lideri politik Miloard Dodik, me tone të ashpra, përsëriti thirrjen për nisjen e tërheqjes së serbëve nga qeveria boshnjake.

Domethënia e paradës, më 9 janar, reflekton të njëjtën ditë të vitit 1992, kur serbo-boshnjakët shpallën krijimin e republikës së tyre në Bosnje e Hercegovinë.

BE i ka dënuar deklarata të tilla.

“Ne dënojmë ashpër çdo veprim dhe çdo deklaratë që bie ndesh me unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës”, u shpreh Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Shtetet e Bashkuara vendosën së fundmi sanksione ndaj Dodik, por BE nuk ka arritur ende në këtë pikë, pasi disa vende, si Hungaria, janë shprehur kundër masave të tilla.