Komandanti i ardhshëm i NATO-s: Qendra e pranisë së trupave ushtarake të NATO-s ka ndryshuar, ja ku do të zhvendosen më së shumti

57
Sigal

Gjenerali amerikan, Christopher Cavoli, i emëruar si Komandat Suprem i NATO-s, tha gjatë një seance dëgjimore në Senat, se kërkesa e Suedisë dhe Finlandës për t’u bërë anëtare të NATO-s, nuk do të kërkojë shtimin e më shumë forcave tokësore amerikane në asnjërin prej këtyre vendeve.

Por gjenerali tha të enjten se stërvitjet ushtarake dhe rotacionet e trupave amerikane ndoshta do të rriten.

Zoti Cavoli, i cili aktualisht shërben në detyrën e komandantit të trupave amerikane për Evropën dhe Afrikën, tha se përqëndrimi i shtuar ushtarak ndoshta do të vazhdojë të jetë në Evropën Lindore, atje ku shqetësimet janë më të mëdha për një agresion të mundshëm rus, apo për përhapjen e luftës që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë.

Gjatë seancës dëgjimore në komisionin e Forcave të Armatosura të Senatit, zoti Cavoli tha se “qendra e gravitetit të forcave të NATO-s është zhvendosur drejt lindjes”. Ai shtoi se “në varësi të rezultatit të konfliktit, kjo prirje mund të vazhdojë edhe për ca kohë”.

Gjenerali u pyet edhe mbi praninë e trupave amerikane në Evropë, e cila është rritur, nga 80,000 në rreth 102,000 trupa, që nga grumbullimi i forcave ruse në kufi me Ukrainën dhe sulmin që pasoi.

Ai tha se rritja nuk kishte asnjë lidhje me lëvizjet më të fundit të ndërmarra nga Finlanda dhe Suedia për t’u bërë anëtare të NATO-s.