Komanda amerikane në “derën” e Koresë së Veriut, tension dhe mister

520
Pentagoni ka refuzuar të japë shpjegime publikisht mbi skenarët e mundshëm të veprimeve ushtarake ndaj Koresë së Veriut, nuk ka konfirmuar dhe as nuk ka mohuar raportet se marina amerikane është pozicionuar brenda një distance për veprime parandaluese, nëse Pheniani përpiqet për të kryer një provë bërthamore.

“Komandantët tanë janë duke marrë parasysh një gamë të plotë të opsioneve për të mbrojtur kundër çdo të papriture”, tha zëdhënësja e Pentagonit Dana White në një deklaratë për Reuters.

“Angazhimi ynë për mbrojtjen e aleatëve tanë, përfshirë Republikën e Koresë së Jugut dhe Japoninë nga kërcënime të mundshme, mbetet i palëkundur”, shtoi ajo.

Zëdhënësja nuk ka dhënë sqarime më tej për operacionet e ardhshme apo spekulimet për skenarë të mundshëm ushtarakë nga Pentagoni kundër Koresë së Veriut.

Më herët, gjatë të enjtes zyrtarë të inteligjencës amerikane i thanë NBC News se Shtetet e Bashkuara kanë pozicionuar dy anije luftarake të armatosura me raketa Tomahok, të cilat mund të godasin lehtësisht vendin ku Koreja e Veriut ka caktuar për testin bërthamor.

Së fundi, janë përhapur gjerësisht informacione se Koreja e Veriut po përgatitet për testin e 6-t bërthamor. Pheniani u tha gazetarëve të huaj se po përgatiten për “një ngjarje të madhe dhe të rëndësishme”.

Megjithëse u konsiderua ngjarje e madhe, të enjten rezultoi se ishte vetëm ceremonia e hapjes së një rruge të re, ndërsa spekulime të tjera thonë se kjo “ngjarje e madhe” do të ndodhë në fundjavë.
Sigal