Japonia riaktivizon centralet bërthamore

146
Sigal

Kryeministri i ri i Japonisë Fumio Kishida konfirmoi se shumë shpejt do të shkarkohet në oqean i gjithë uji i ndotur i centralit bërthamor të Fukushimës, impianti në qendër të një incidenti që u shkaktua nga tërmeti i fortë i vitit 2011.

Shkarkimi i ujërave është pjesë e strategjisë energjetike të ndërmarrë nga Tokio e që parashikon një rikthim pas dramës së 2011-ës. Qeveria japoneze po rikthen gradualisht në funksion centralet bërthamore që u fikën pas tërmetit.

Kishida nga njëra anë premtoi se uji i magazinuar në central që shërben për të ftohur reaktorët  nuk përbën më rrezik për ambientin. Ai shtoi se është e domosdoshme të arrihet objektivi për zero emetimesh karboni deri më 2050-ën.

Aktualisht më shumë se një milion ton ujë po mbahen në serbatorët e TEPCO, shoqëri e cila menaxhon impiantin e Fukushimës, por hapësira në dispozicion do të boshatiset brenda vjeshtës së 2022-ës. Gjatë viteve të fundit radioaktiviteti në serbatorë është ulur ndjeshëm por nuk ka qenë i mundur neutralizimi i plotë, pasi mbetet një izotop i hidrogjenit pak radioaktiv. Por autoritetet e Tokios këmbëngulin se kjo nuk përbën rrezik për ujërat e oqeanit.

Japonia në këtë mënyrë po bën hapa pas drejt energjisë bërthamore. Të gjitha 35 centrale bërthamore në territorin japonez u ndaluan pas tërmetit në mars të 2011-ës, i cili shkaktoi evakuimin e 150 mijë personave. Qeveria e Tokios nuk është e vetmja që ka ndryshuar qasjen ndaj bërthamores. Në Francë, Emanuel Macron konfirmoi investimin e një miliard euro për centralet më moderne; dhe Britania e Madhe, Rusia, India dhe Kina kanë programuar ndërtimin apo riaktivizimin e centraleve bërthamore.