Izrael, ish-kryeministri Olmert fillon dënimin me burg për korrupsion

425
Ka nisur sot dënimin me burg ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 19 muaj burg për korrupsion duke u bërë kështu i pari shef i qeverisë së shtetit hebre që gjendet pas hekurave.
Olmert, 70 vjeç dhe kryeministër gjatë viteve 2006-2009, do të vuajë dënimin për ryshfet për leje ndërtimi gjatë kohës kur ishte kryetar i bashkisë së Jeruzalemit, mes viteve 1993-2003, si edhe për pengim të drejtësisë.
Ehud Olmert deklaroi se po shkonte drejt burgut ”zemërthyer” për shkak se ishte i pari kryeministër në historinë e Izraelit që po provonte një përvojë të tillë.
“Kur isha kryeministër m’u dha përgjegjësia më e madhe për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve të Izraelit, ndërkohë që sot jam unë ai që duhet të rri pas hekurave”, deklaroi Olmert.
”Kam bërë gabime, por ato nuk ishin kriminale. Nuk kam marrë ryshfet”, tha ai.
Për shkak të njohjes së sekreteve të shumta shtetërore, autoritetet kanë vendosur masa speciale sigurie për të, duke e vendosur në një zonë ”VIP” të burgut.
Sigal