ISIS, fëmijët ushtarë tregojnë: Na kërkonin që të vrisnim prindërit

448
Fëmijëri të vjedhura, jetë të shkatërruara, plagosje të shpirtit, është gjendja e fëmijëve të rekrutuar nga ISIS. Gjatë dëshmive që ata kanë dhënë përpara autoriteteve që i kanë liruar nga duart e xhihadistëve, fëmijët tregojnë detaje të frikshme. CNN ka takuar disa prej këtyre fëmijëve, ku ka mbledhur dëshmitë e tmerrshme. Nasir është një prej fatlumëve që ka shpëtuar nga dhuna e tmerrshme e ISIS-it. Është 12 vjeç, dhe nuk do që të tregojë emrin e tij të plotë për shkak të frikës.
Ka mundur që të arratiset nga xhihadistët që po tentonin ta indoktrinonin dhe ta bënin një fëmijë kamikaz. “Ishin rreth 60 fëmijë në kamp-tregon Nasir- Momentet më të frikshme ishin kur nisnin bombardimet. Ata na çonin në tunelet e nëndheshme për tu fshehur. Na thanë se amerikanët, të pabesët, po kërkon të na vrisnin. Ndërkohë që na stërvitin, na thoshin se prindërit tanë ishin të pafe: misioni ynë i parë ishte që kur të ktheheshim në shtëpi, të vrisnim prindërit tanë. Na thoshin se ISIS ishte familja jonë e vetme. Nuk ishim të autorizuar që të qanim, por unë mendoja se sa mund të ishte shqetësuar nëna ime për mua dhe kërkoja të gjeja një vend për tu shfryrë në heshtje”.
Tani Nasir, është arratisur nga regjimi i terrorit, dhe mund të përqafojë nënën në kampin e refugjatëve në Esyan të Kurdistanit, që ka mirëpritur rreth 15 mijë jazidë të arratisur. “Kur u ktheva dhe pashë nënën time, ishte sikur të rikthehesha në jetë”, përfundoi ai.
Nouri, 11 vjeç, është një tjetër fëmijë që ka shpëtuar mrekullisht dhe që mund të tregojë për muajt e tij të ferrit. Ai u rrëmbye së bashku me familjen dhe u dërgua në kampin e stërvitjes të Tel Aafar, në veri të Irakut. Kur refuzoi që të bashkohej me fëmijët e tjerë, xhihadistët i thyen këmbën në tre vende. Ndaj tij ka ndodhur një mrekulli, sepse ka nisur që të ecë.
“Më kërkuan që të shkoj me ata, por refuzova-tregon- Kisha frikë. Në refuzimin e dytë, më thyen këmbën dhe ky ishte shpëtimi im. Fëmijët e tjerë u tërhoqën zvarrë me forcë”, tregon fëmija. Ai flet me zë të ultë. Rri gjithmonë pranë gjyshërve dhe në çdo frazë merr frymë thellë. Kujtesa e atyre momenteve e bën që të ndihet keq. Me atë është liruar edhe vëllai Saman, 5 vjeç. Ai ka mbetur i traumatizuar . Zgjohet në mes të natës duke bërtitur, dhe vuan nga krizat epileptike.
Sigal