Iris XHANAJ/ Shoqata e Intelektualëve Shqiptar të Diplomuar në Itali, një portë e re drejt Europës

323

Italia është vendi, që ka pranuar dhe diplomuar më shumë  shqiptarë se çdo vend tjetër.

 Çfarë përfaqëson SHISHDI dhe cilat  janë qëllimi dhe objektivat tuaja?

SHISHDI, përfaqëson një bashkim vullnetar të intelektualëve shqiptarë të  diplomuar në Itali dhe studentëve që vazhdojnë studimet në universitetet italiane. Shoqata është njohur Person Juridik dhe është e organizuar si OJF, që nuk ndjek qëllime politike apo fetare. Shoqata respekton përfaqësitë dhe preferencat politike të anëtarëve të saj, bindjet e tyre  fetare dhe përkatësitë etnike duke dhënë shembullin, se Shqipëria mund të bëhet pjesë e Komunitetit Europian vetëm nëpërmjet bashkëveprimit dhe mirëkuptimit midis faktorëve politik dhe intelektualë. Është e vërtetë që në këtë binom faktori primar është ai politik, shfrytëzimi efektiv nga politika i faktorit intelektual, sidomos i atij të përgatitur në Shtetet Euro-perëndimore mund të jetë një avantazh i madh për në procesin e integrimit. Zhvillimet e vrullshme të pas viteve ‘90, veç të tjerash krijuan mundësinë, që mijëra të rinj shqiptar të diplomohen në universitete perëndimore, duke u përgatitur jo vetëm si profesionistë të aftë, por dhe duke u pajisur me mendësitë, kulturën e të punuarit dhe të jetuarit europianë. Në këtë kuadër, Italia është vendi, që ka pranuar dhe diplomuar më shumë se çdo vend tjetër. Këtu mund të përmendet vetëm një fakt. Në Itali studentët e huaj zënë rreth 4.2% të numrit të përgjithshëm dhe në këtë tregues në vend të parë janë studentët shqiptarë me 20.6%, duke lënë në vend të dytë studentët kinezë me 11.2% . Ky tregues për Shqipërinë është një akses i madh, i cili po të menaxhohet me efiçencë do të jetë shumë produktiv e dobiprurës. Kjo është dhe një vlerë e shtuar në miqësinë tradicionale midis popullit shqiptar dhe atij italian, prandaj dhe ne si shoqatë në themel të gjithë aktivitetit tonë, kemi vënë si qëllim primar forcimin e miqësisë midis dy popujve tanë dhe hiqemi nga moto: “Kufijtë ndajnë shtetet, zemrat bashkojnë popujt”, e cila është pasqyruar dhe në logon tonë.

Ku mendoni se do jeni më prezente dhe në cilat fusha mendoni të jepni ndihmesën tuaj?

Së pari në drejtim të forcimit të lidhjeve me investitorët dhe biznesmenët italianë, që operojnë në Shqipëri. Në këndvështrimin tonë kjo lidhje është në interes të ndërsjellë,  pasi investitorët italianë gjejnë tek ne profesionistë të aftë që njohin kulturën italiane të punës, gjuhën, teknologjinë dhe legjislacionin e dy vendeve. Por, dhe ne gjejmë te ata hapësira punësimi. Pikërisht për të vendosur kontakte sa më të qëndrueshme, kemi hyrë në lidhje me shumë investitorë e biznesmen me shoqata e fondacione italiane që veprojnë në Shqipëri. Veçanërisht, forcimit të këtyre lidhjeve i shërbeu dhe pjesëmarrja në javën e biznesit italian, në vijim të ftesës së Ambasadorit Italian në Shqipëri z. Massimo  Gaianni.  Anëtarët dhe përkrahësit tanë  po punojnë dhe në rrugë individuale duke shfrytëzuar njohjet personale për të bërë një prezantim sa më dinjitoz të realitet shqiptar dhe duke rekomanduar fusha me interes për investime dhe biznese në Shqipëri. Së dyti jemi  fokusuar  dhe në ushtrimin e ndikimit tonë mbi faktorin ekzekutiv e legjislativ shqiptar, për të vënë në efiçencë e në dobi të vendit kapacitetin profesional të diplomuarve në Itali. Në këtë fushë,  kohët e fundit vërehen mjaft arritje pozitive në përpjekjet që po bëhen për thithjen e trurit e  kthimit të tyre në atdhe nëpërmjet programeve që po aplikohen nga Qeveria. Por, mund të përmendim dhe se gama e problematikave është mjaft e gjerë dhe ka vend për përmirësime. Nga një anketim, që ne kemi kryer kohët e fundit rezulton se rreth 74% e  të diplomuarve në Itali nuk janë kthyer në Shqipëri. Rreth 82% e tyre nuk punojnë në profesionin e tyre duke mos justifikuar investimin e kryer.

Cilat janë rezultatet e deritanishme dhe çfarë synoni në të ardhmen?

Jemi marrë me organizimin e shoqatës dhe kemi krijuar strukturat në disa qytete kryesore në Shqipëri dhe në Itali, si në Romë, Siena, Milano, Pavia, Perugia etj.. Shoqata ka gjetur përkrahje të gjerë jo vetëm nga të diplomuarit shqiptarë, por dhe nga biznesmen italianë, të cilët janë bërë pjesë e shoqatës sonë. Aktualisht kemi ngritur Bordet e Asistencës së Kualifikuar në fushat Juridike, Ekonomike, Sociale-Kulturore, për të dhënë Asistencë të kualifikuar në orientimin e bizneseve dhe investitorëve italianë me qellim për të arritur suksesin e pritshëm. Interes ka ngjallur dhe organizimi i “Klubeve të Miqësisë”, sipas universiteteve dhe qyteteve, ku kanë studiuar apo vazhdojnë studimet me qëllim forcimin e miqësisë, zgjerimin e kontakteve dhe krijimin e një kodi solidariteti midis tyre. Këto janë disa nga aspektet  e punës dhe jetës së Shoqatës sonë, por synojmë të realizojmë dhe programe afatgjatë nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me Institucionet Shqiptare. Ne jemi një Shoqatë relativisht e re, por me synime të mëdha.  Edhe ne si gjithë Shqiptarët aspirojmë t’i bashkëngjitemi Bashkësisë së popujve europian.

Iris Xhanaj, ka kryer studimet e larta në Itali në Universitetin publik “La Sapienza”, Romë dhe është diplomuar në Fakultetin Juridik. Ka mbrojtur diplomën në të drejtë penale me temë, Dispozita Penale në fushën e Emigracionit Klandestin me Prof. F.Coppi, një ndër figurat më autoritare në fushën e Jurisprudencës në Itali. Gjithashtu, gjatë qëndrimit ka ndjekur zhvillimet në Shqipëri. Para 3 vitesh është kthyer në Shqipëri sepse gjithmonë ka pasur dhe kam bindjen se në këtë vend ka perspektivë dhe ka nevojë për ne, pasi është vendi ynë dhe na takon ne të kontribuojmë.