I mbytur në borxhe, shqiptari i vë flakën vetes para syve të djalit në Londër

121
Sigal

Një matematicient dhe student premtues i mjekësisë, i cili kishte lindur në Kosovë, u vetëvra duke u djegur përpara syve të djalit të tij adoleshent.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një qytet jo shumë larg Londrës, dhe sipas informacioneve, 53 vjeçari shqiptar kishte 250000 paund apo 295 mijë euro borxhe në kumar, raporton Daily Mail.

Bylent ‘Bill’ Troshupa, 53 vjeç me origjinë nga Prishtina, i cili u largua nga Kosova për shkak të regjimit të ish-Jugosllavisë drejt Londrës, ishte zemëruar dhe i çrregulluar pasi kishte humbur mijëra euro në baste gjatë pandemisë në kompani të ndryshme, përfshirë “William Hill” dhe “888”.

Pas kësaj situate martesa e tij ishte prishur dhe sipas një urdhri, atij i ishte ndaluar ta vizitonte gruan Julie Martin, 51 vjeç, dhe djalin e tyre 16-vjeçar.

Por babai i dy fëmijëve kishte mbërritur me një thikë, kanaçe me karburant dhe zarf plot me para, ndërsa djali i tij ishte i vetëm në shtëpi nëntorin e kaluar.

Ai filloi të përplaste derën duke kërkuar që të futej brenda para se t’i linte paratë përmes kutisë së letrës, duke u larguar dhe duke i vënë flakën vetes.

Djali i shqetësuar kishte telefonuar nënën e tij ndërsa ajo po kthehej me veturë në Waltham Abbey, Essex, nga puna rreth orës 20:30 duke i thënë se babai i tij po digjej në zjarr jashtë.

51-vjeçarja nxitoi drejt shtëpisë ku gjeti Troshupan “në zjarr, duke bërtitur ndërsa binte në dysheme”.

Një fqinj ishte përpjekur ta parandalonte tragjedinë, por djegiet e tij ishin shumë të rënda.

Shërbimet e urgjencës luftuan për 90 minuta në vendngjarje përpara se ai të intubohej dhe të fluturonte me helikopter drejt spitalit Broomfield.

Dr Niall Martin, nga njësia e djegieve, tha se ai pësoi arrest kardio-pulmonar dhe vdiq në orën 1:30 të mëngjesit. Mjeku ligjor Lincoln Brookes e cilësoi aktin si vetëvrasje në gjykatën e mjekëve të Chelmsford.

Martin, e cila gjithashtu ka një vajzë, 22 vjeçe, u ul në seancën 1-orëshe me lot duke shtrënguar duart e dy miqve të saj. Hetimi vjen pasi ministrat janë kritikuar për vonesat lidhur me çështjen e rregullores së lojërave të fatit.

Më pas, Martin, e cila është bërë një aktiviste e zëshme për viktimat e varësisë ndaj lojërave të fatit, tha për Daily Mail se “Qeveria duhet t’i përshpejtojë veprimet”.

“Kjo nuk ka të bëjë me vdekjen e burrit tim. Kjo më ka prekur mua, ka prekur fëmijët tanë, ka prekur familjen e tij. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, ka mbi 400 vetëvrasje çdo vit dhe mijëra të tjera me anti-depresivë dhe probleme të shëndetit mendor që vuajnë”, tha ajo.