Hollandë letër Nishanit: Mesazhi juaj, ndihmë ndaj barbarisë

445
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë një mesazh falenderimi nga presidenti i Francës François Hollande për ngushëllimet në lidhje me sulmet terroriste të 13 nëntorit ku humbën jetën 130 persona.
François Hollande duke falenderuar Nishanin shkruan se “mesazhet e miqësisë dhe të solidaritetit që na kanë ardhur nga i gjithë planeti, ashtu si dhe mesazhi juaj, përbëjnë një ndihmë të çmuar në betejën tonë kundër urrejtjes dhe barbarisë.”
Mesazhi i plote
“Zoti President,
Jam prekur shumë nga fjalët e mesazhit tuaj ngushëllues që më dërguat pas atentateve të tmerrshme që pllakosën në zi Francën më 13 nëntor. Dëshiroj t’ju falënderoj sinqerisht.
Këto sulme të ulëta kanë shkaktuar shumë viktima. Vrasësit donin të shkatërronin shpirtin e Francës. Ata donin të vrisnin vlerat tona të tolerancës, të paqes dhe të lirisë, vlera nga të cilat ne nuk do të heqim dorë kurrë.
Të jini i sigurt që ne nuk do të përkulemi nga tmerri. Në vend që ta lëkundin bindjen tonë, këto akte të ulëta dhe të mjerueshme e kanë forcuar vendosmërinë tonë për të çrrënjosur terrorizmin.
Në këtë periudhë veçanërisht të vështirë, mesazhet e miqësisë dhe të solidaritetit që na kanë ardhur nga i gjithë planeti, ashtu si dhe mesazhi juaj, përbëjnë një ndihmë të çmuar në betejën tonë kundër urrejtjes dhe barbarisë.
Duke ju përsëritur të gjithë falënderimet e mia, ju lutem të besoni Zoti President në sigurinë e konsideratës sime të lartë.
François Hollande”


Sigal