Hipopotamët pushtojnë vendin, Kolumbia në hall me kafshët e narkotrafikantit

221
Sigal

Në fillim ata ishin vetëm katër. Por pasardhësit e hipopotamëve të lordit të drogës Pablo Escobar janë shumëfishuar deri në atë pikë sa shkencëtarët – të cilët janë të shqetësuar për ndikimin mjedisor të specieve invazive – thonë se ato duhet të vriten.

Në vitet 1980, lordi famëkeq i drogës Pablo Escobar kontrabandoi katër hipopotamë në Kolumbi. Kur u qëllua për vdekje në 1993, ai la pas jo vetëm një perandori të kokainës – por edhe kopshtin zoologjik privat që kishte ndërtuar në pronën luksoze Hacienda Nápoles. Luanëve, gjirafave dhe specieve të tjera ekzotike iu dhanë shtëpi të reja, por disa hipopotamë të mëdhenj dhe agresivë u lanë në fatin e tyre.

Në fillim ata qëndruan në liqen në pronën e vjetër të Escobar, por me kalimin e kohës ata humbën dhe u shumuan.

Rreth vitit 2007, Ministria Kolumbiane e Mjedisit filloi të merrte telefonata nga banorët e Antioquía të cilët kishin pikasur një kafshë të çuditshme në zonë. Kafshët kanë strehë natyrale savanat në Afrikë, kryesisht në jug të Saharasë.

Gati tre dekada pas vdekjes së Escobar, pasardhësit e hipopotamëve të mbretit të kokainës janë përhapur nga shtëpia e tyre origjinale dhe tani jetojnë në një zonë përreth lumit Magdalena.

Ndërsa shumë banorë i përdorin ato për qëllime turistike, kritikët kanë paralajmëruar se speciet pushtuese janë të dëmshme pasi konkurrojnë me kafshët vendase në ekosistemin lokal, ndotin ujërat e lumit dhe rrezikojnë përhapjen e sëmundjeve te njerëzit. Ndonjëherë, ato madje kanë sulmuar edhe banorët.

Qeveria kolumbiane ka luftuar prej kohësh se si të kontrollohet shkalla e rritjes së popullatës së hipopotamit. Përpjekjet për t’i sterilizuar ato nuk kanë qenë efektive.

Askush nuk e di saktësisht se sa hipopotamë janë realisht. Në një studim të ri, botuar në revistën Biological Conservation, studiuesit meksikanë dhe kolumbianë shkruajnë se popullsia është rritur nga rreth 35 kafshë në 65-80 në tetë vitet e fundit. Dhe ata janë të shqetësuar se numri do të rritet në mënyrë dramatike dhe do të përhapet në pjesë më të mëdha të Kolumbisë nëse nuk merren masa për të ngadalësuar zhvillimin.

Përmes modeleve statistikore dhe parashikimeve të klimës, ata parashikojnë që popullata mund të arrijë kapacitetin maksimal të ekosistemit mbajtës rreth 1,420 kafshë deri në vitin 2039.

Një mënyrë për të zvogëluar popullsinë do të ishte kapja e tyre për të gjetur shtëpi të reja. Por pak kopshte zoologjike kanë treguar gatishmëri për të pranuar hipot e Kolumbisë për shkak të origjinës së tyre të veçantë dhe rrezikut që ata të mbartin për sëmundje. Prandaj, studiuesit besojnë se Kolumbia tani duhet të konsiderojë vrasjen e hipopotamëve.

“Askush nuk e pëlqen idenë për të qëlluar një hipopotam. Unë nuk e bëj atë. Por asnjë strategji tjetër nuk do të funksionojë”, i tha The Washington Post, Nataly Castelblanco-Martínez, autori kryesor i studimit.

Por Enrique Zerda Ordóñez, biolog në Universidad Nacional de Colombia, mendon se kastrimi është një zgjedhje më e mirë – sepse vrasja mund të ndikojë në mbijetesën e specieve të kërcënuara në Afrikë, sipas një njoftimi për shtyp.