Harry BAJRAKTARI/ “Ajo ç’është mjaft, është mjaft”

445
Sigal

Kosova ka nevojë për liderë që e duan shtetin dhe punojnë për të, që e duan popullin dhe i sjellin lumturi atij, zhvillim ekonomik, të mira materiale, e jo për liderë që luftojnë për poste, për pozita dhe për interesa të tyre personale. Lufta politike e paarsyeshme çon në vetëshkatërrim, e aq më tepër lufta e inateve që do të duhej t’ i përkiste së kaluarës. Mjerisht, mentaliteti i së shkuarës  po na godet si çekani i “kovaçit” edhe në këtë fillimshekulli. Të tjerët janë ndarë moti nga këto botëkuptime e ne po vazhdojmë. Liderët tanë qe pesë muaj, kur u mbajtën zgjedhjet nacionale, e duke përfunduar edhe ditën e sotme e mbajnë Kosovën dhe popullin e saj peng, të bllokuar dhe të dëshpëruar. Çfarë kuptimi ka kjo tani, pas gjithë atyre vuajtjeve, pas gjithë atyre sakrificave dhe pas gjithë vetëflijimeve që janë bërë për lirinë e Kosovës, për pavarësinë dhe demokracinë e saj.  Liderët tanë më së paku kanë nevojë të bëjnë luftë të brendshme, luftë mes vetes dhe ndërvetes. Këtë “energji” shkatërruese duhet ta orientojnë diku tjetër. Luftën duhet ta bëjnë me Serbinë, ku shumë çështje kanë mbetur të pazgjidhura dhe, fatkeqësisht, askush nuk e kthen kokën andej. Sa keq. Sikur të mendohej me logjikën e shëndoshë, me përgjegjësi dhe ndërgjegje kjo s’ do të duhej t’ i ndodhte Kosovës, madje as një ditë të vetme. Populli ka dhënë votën e tij, jo për ta keqpërdorur, jo për të manipuluar me të, por për të krijuar institucione të qëndrueshme, demokratike që garantojnë perspektivë, zhvillim dhe ardhshmëri. Kosovës i duhet një luftë e vazhdueshme kundër korrupsionit që po e gërryen ekonominë e saj, jetën e popullit dhe të ardhmen e tij. Kosovës i duhet një qeveri që zvogëlon numrin e madh të pa punëve, që ndal ikjen e qytetarëve të saj në vendet tjera, një qeveri që punon për popullin dhe begatinë e tij. Diplomatët e shteteve mike në Prishtinë dhe miqtë tanë në SHBA dhe në Europë janë shumë të zhgënjyer me zhvillimin e situatës së krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Ata janë të befasuar me pamundësinë e kapërcimit të vetvetes, me sëmundjen që po i përcjell liderët tanë për pushtet, me pasojat që kanë për qytetarët e Kosovës. Reagimet e tyre kanë qenë të ashpra dhe shumë kritike. Me këto sjellje të partive politike, me lojën e votës së popullit, po u japim material armiqve tanë, të cilët e kanë përsëritur shumë herë një frazë fatkeqe, se Kosova nuk mund të bëhet dhe nuk mund të jetë shtet stabil. Këtu duhet të ndalemi dhe të shikojmë ku jemi, për kënd po punojmë?! Ata që i ka zgjedhur populli, duhet të punojnë për popullin. Kjo është e vetmja alternativë për të dalë nga ky hendek ku ka rënë Kosova. Në këtë kontekst dëshiroj të përmend fjalët e ish presidentit Bush kur ishte çështja e pavarësisë së Kosovës: “Ajo çka është mjaft është mjaft”, pat thënë ai. Jo që është bërë tepër por kjo zbavitje ka kapërcyer të gjithë kufijtë e pritjes. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan me shqetësim të madh po i përcjell ngjarjet në Kosovë. Të gjithë e dinë se çfarë ka bërë ky komunitet për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ne nuk mund të rrimë indiferent, ne kërkojmë nga liderët tanë që mos të vazhdojnë më me degradimin dhe komprometimin e Kosovës, ne kërkojmë nga ata të mos sillën kështu si po sillën. Me këtë logjikë, me këtë kokëfortësi, me këtë mentalitet po turpërohemi të gjithë. Kjo e keqe duhet të ndalet. Nuk bën të vazhdohet më.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen e njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria”.