Gjermania nën masa të rrepta sigurie gjatë karnavaleve

530
Cologne është gati për sezonin e karnavaleve, sipas traditës qindra vjeçare, por këtë vit me një shqetësim gjithnjë e më shumë në rritje e nën masa të rrepta sigurie, pas frikës së përhapur tek popullata pas sulmeve masive mbi dhjetëra femra në qytetin gjerman, mbrëmjen e ndërrimit të viteve.
Prokurorët në Cologne thanë se në polici janë bërë 945 denoncime për sulme, kryesisht të grave që thonë se janë ngacmuar, kërcënuar apo edhe përdhunuar në grup, nga burra të pirë, kryesisht emigrantë nga Afrika.
E teksa afrohet një tjetër festë kombëtare, e cila tradicionalisht tërheq mijëra vendas e vizitorë të huaj, ku birra është pija kryesore, zyrtarë të qytetit të Cologne, thonë se janë të përgatitur për çdo ngjarje të papritur.
“Duam të sigurojmë qytetarët se gjatë festimeve të karnavaleve, nuk do të ketë frikë e panik, sdo të ketë asnjë cep në errësirë që do të mund të lejojë që një ngjarje si ajo e Vitit të Ri të përsëritet” tha shefi i policisë së qytetit, Guido Kahlen.
Ai shtoi se janë marrë masa ekstreme sigurie, për të shmangur çdo rrezik për sulme apo situata të tilla të rënda.
Policia e Cologne u kritikua rëndë pas ngjarjes së paprecedentë të Vitit të Ri, ku ajo u gjet krejt e papërgatitur për një ngjarje të tillë. Në një dalje të parë për mediat në datë 1 janar, menjëherë pas sulmit, policia tha se nata e ndërrimit të viteve kishte kaluar pa asnjë incident.
Kahlen tha se tashmë policia e mori një mësim.
“Është e qartë për ne se ditët e festimet e karnavaleve do të jenë një test, që ne të provojmë se jemi në gjendje të parandalojmë skena të tilla të tmerrshme si ajo e Vitit të Ri, ndaj i sigurojmë qytetarët tanë dhe turistët e huaj, se mund të jetojnë dhe të festojnë të qetë në qytet dhe të mos shqetësohen për sigurinë e tyre” tha Kahlen.
Por duket se banorët nuk do të presin vetëm policinë por kanë menduar të mbrohen edhe individualisht për sigurinë e tyre. Në Essen, qytetin pranë Cologne, një dyqan ka shitur në mase produkte për vetë-mbrojtje, sic janë sprajtët me piper.
Menaxheri i shitjeve, Christoph Kuettner, theksoi se pikërisht frika për përsëritjen e një sulmi si në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, është një arsye e tillë.
“Njerëzit kanë blerë vetë gaz lotsjellës, sprajt piper, alarme të ndryshme” tha ai për Reuters.
Pas miratimit me ligj të pajisjes me këto lëndë për vetëmbrojtje, është regjistruar rritje e shitjeve për këto produkte, kryesisht nga femrat. Agresori mund të lëndohet për të paktën 3 minuta, pas përdorimit të tyre.
“Vitet e shkuara, në një vit janë shitur rreth 150-200 sprajt piperi por tani, vetëm në një ditë, janë shitur mbi 100 të tillë” tha Kuettner.
Mijëra vetë, edhe nga shtetet të tjera të Europës, pritet të bëhen pjesë e festimeve për sezonin e karnavaleve, në Cologne, Duesseldorf dhe Mainz.


Sigal