Gjermani/ Shisnin drogë në internet, shkatërrohet platforma e rrezikshme

529
Sigal

Zyra e Policisë së Kriminalistikës në Gjermani ka njoftuar ditën e sotme se, ka shkatërruar platformën më të rrezikshme në internet, ku persona të ndryshëm duke përdorur atë, arrinin të shisnin kokainë, heroinë dhe droga të tjera të forta.

Bëhet fjalë për platformën e ashtuquajtur “Wall Street Market”. Ky aksion u finalizua edhe me ndihmë e Amerikës dhe autoriteteve të shtetit të Holandës, ndërsa tre gjermanë si të dyshuarit kryesorë përfunduan pas hekurave.

Mësohet se të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin mundur të shisnin drogë si dhe të dhëna e dokumente të rreme në llogaritë e 1.15 milionë klientëve . Prokurorët, të cilët po kryejnë hetimet shprehen se pagesat janë kryer përmes kriptovalutave dhe të arrestuarit merrnin nga 2-6 për qind të shumës

Pas kontrolleve të ushtruara, autoritetet kanë konfiskuar serverin bashkë me 550.000 euro para të gatshme, si dhe kriptovaluta, disqe dhe prova të tjera materiale, të vlefshme për objektin e hetimeve.

Nga ana tjetër, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vënë në pranga dy furnizues droge në Los Anxhelos,ndërsa u konfiskuan rreth 1 mln dollar Cash, municione, armë dhe droga të llojeve të ndryshme.

Georg Ungefuk, zëdhënës i zyrës së kryeprokurorit të Frankfurtit dhe ZIT, duke komentuar aksionin për shkatërrimin e platformës, mes tjerash theksoi se: “Kjo platformë tregtare e paligjshme ishte e arritshme vetëm përmes rrjetit të koduar dhe bazohej në një shkëmbim botëror të mallrave kriminale”.

Nga ana tjetër nuk jepen detaje për të arrestuarit, por hetimet vijojnë intensivisht për identifikimin dhe shkatërrimin e plotë të kësaj platforme.