Gaz lotsjellës në seancë, Delawie: Opozita nuk respektoi porositë e Kerry-t

448
Kanë kaluar me sukses kontrollet e imtësishme të forcave të rendit, kanë hyrë qetësisht në sallën e parlamentit dhe kanë hedhur gazin lotësjellës, tashmë i identifikuar si lëndë e opozitës kosovare, duke bllokuar kështu seancën për të disatën herë.
Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë realizuar në këtë këtë mënyrë edhe zotimin se nuk do të lejojnë mbajtjen e asnjë seance deri në anullimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel me palën serbe.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është detyruar të ndërpresë seancën e parashikuar për të diskutuar buxhetin e vitit 2016, teksa disa deputetë bëjne foto me celular në sallën e mbushur me tym.
Deputeti, njëkohësisht kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca pranoi se ka qenë ai dhe deputetë të tjerë që kanë hedhur gazin lotësjellës në sallë, duke e quajtur veprim me parapavijë politike, pa target individual.
Në seancë ishin të pranishëm edhe deputetët e Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili dhe Faton Topalli, edhe pse Gjykata ka caktuar masën arrest shtëpiak.
Me të njëjtën akuzë, atë të hedhjes së gazit në sallën e parlamentit, policia e Kosovës arrestoi deputetët Ismajl Kurteshi dhe Pal Lekaj.
Pas bllokimit të punimeve Kryesia e Kuvendit në një mbledhje të posaçme vendosi përjashtimin e deputetëve të opozitës, por edhe këtu nënkryetarja e Kuvendit Aida Derguti ka hedhur gaz lotjellës.
Vetëm 6 deputetë opozitarë do të lejohen të jenë pjesë e seancave.
Ora 14:03 Arrestohet Pal Lekaj
Deputeti i AAK-së sapo është arrestuar, raportojnë gazetarët tanë nga Kuvendi.
14: 00 Nis seanca në sallën alternative
Seanca ka filluar në sallën alternative, ku janë shumica e deputetëve të pozitës.Pika më e rëndësishme në rend të ditës është miratimi për herë të dytë i buxhetit të Kosovës për vitin 2016.
Ora 13:53 Kryesia pezullon opozitën nga seanca
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim për të pezulluar deputetët e opozitës nga seanca e sotme, por jo të gjithë. Janë gjashtë ligjvënës të cilët nuk janë pezulluar dhe aktualisht, deputetët janë në pritje për të parë se cili prej tyre lejohet të marrë pjesë në punimet e seancës.
13:00 Gaz lotsjellës edhe në sallën e Kryesisë së Kuvendit 
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,Aida Dërguti ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kryesisë së Kuvendit. Aty pritej të përcaktohej rrjedha e mëtutjeshme e seancës plenare, pasi u ndërpre si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës nga dy deputetë tjerë opozitarë, Glauk Konjufca dhe Pal Lekaj.
11:15 Ambasadori amerikan: Opozita nuk dëgjoi thirrjet e Kerryt
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka folur para gazetarëve në mjediset e Kuvendit të Kosovës. Duke rikujtuar vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, në Kosovë dhe thirrjet e tij për të shmangur aktet e dhunës nga Kuvendi, Delawie tha se është zhgënjyes fakti që njerëzit nuk i kanë dëgjuar thirrjet e tij.
“Jam këtu për të mbështetur funksionimin normal të Kuvendit, dhe u zhgënjeva kur disa deputetë të Kuvendit hodhën gaz lotsjellës në Kuvend, sërish. Është zhgënjyese. Siç e dini, Kuvendi është dashur që ta miratojë sot buxhetin për vitin e ardhshëm dhe ka një listë të gjatë ligjesh të rëndësishme për shqyrtim, të domosdoshme për Kosovën”.
Ambasadori amerikan ka shprehur shqetësimin e tij edhe me faktin se dy ligjvënës nga opozita, ndaj të cilëve është në fuqi masa e arrestit shtëpiak, ndjejnë se nuk e kanë për detyrim të ndjekin të njejtat rregulla dhe ligje që vlejnë për cilindo qytetar tjetër të Kosovës.
“Për fund do të doja të thosha diçka për rritjen e retorikës nacionaliste dhe ksenofobike ditët e fundit. Mendoj se Ballkani ka parë mjaft retorikë të tillë, dhe shpresoj të marrë fund përfundimisht”.
11:12 Tubime para Kuvendit, forca të shumta policie
Përkrahësit e partive opozitare po qëndrojnë para Kuvendit të Kosovës, duke brohoritur kundër marrëveshjeve me Serbinë. Forca të shtuara të policisë janë të pranishme para hyrjes së Kuvendit.
11:00 Konjufca: Unë e hodha gazin në Kuvend
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e pranoi se ai personalisht hodhi gaz në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se veprimet e opozitës kanë prapavijë të qartë politikë dhe se nuk janë të drejtuara ndaj individëve.
Konjufca: “Po, kam hedhur gaz lotsjellës bashkë me deputetët të tjerë. Eshtë veprim kolektiv i i opozitës. Të tjerë kanë bërë njëjtë para meje, do të bëjnë edhe pas meje me siguri. Kemi marrë vendim se kush do të hedh gazin.Vepruam siç kemi bërë edhe herëve të kaluara. Kjo është të bëjmë trysni që Qeveria ta kuptojë që marrëveshjet janë të pakalueshme. Opozita e vendosur që këto marrëveshje të mos zbatohen. Veprimet kanë prapavijë të qartë politikë. Nuk drejtohet ndaj asnjërit individ.”
Sigal