Frikë dhe zemërim, teksa virusi rikthehet me rrëmbim në Serbi

260
Sigal

Në prill, kur Petar Djuric mbërriti në spital me fruta dhe ujë për babanë e tij, ai mësoi se ishte tepër vonë. Për këtë humbje, ai fajëson degradimin e sistemit shëndetësor të Serbisë, po aq sa koronavirusin, shkruan AFP.

“Baba, kjo është për ty”, tha 31-vjeçari me sytë e përlotur para një kanali televiziv vendas, teksa iu bashkua protestave që shpërthyen javën e kaluar për mënyrën sesi qeveria serbe e ka trajtuar krizën shëndetësore. Fjalët u kthyen në një slogan proteste për njerëzit e indinjuar ndaj liderëve të akuzuar se po luanin me shëndetin e qytetarëve për qëllime politike.

Pas rrafshimit të kurbës së infeksioneve në maj, Serbia tani po raporton ditët e saj më vdekjeprurëse. Spitalet po mbingarkohen me më shumë se 300 raste të reja çdo ditë, dhe një numër rekord prej rreth 170 pacientësh në ventilatorë. Djuric, një trajner basketbolli, u bë simbol i zemërimit të protestuesve të cilët e akuzojnë qeverinë për heqjen e karantinës fillestare para kohe, për të mbajtur një zgjedhje që forcoi kontrollin e partisë në pushtet.

Pasi babain e tij e zuri një ethe e lartë dhe kollë në fund të marsit, “ne thërrisnim qendrën e thirrjeve COVID-19 çdo ditë. Ata na thanë të prisnim, të mos vinim në spital”, tha Djuric, i cili më në fund u detyrua ta çonte vetë në spital babanë. Më 9 prill, sipas djalit të tij, një mjek rekomandoi që piktori 71-vjeçar të transferohej në një repart për ndihmë në frymëmarrje.

Por në spitalin në Zemun, një lagje e kryeqytetit Beograd, “nuk kishte asnjë ventilator në atë kohë”, tha Gjuric. Disa ditë më vonë, babai i tij vdiq. “Mendoj se mjekët bënë çmos. Por me sa duket sistemi nuk funksionon. Babai më tha se situata ishte katastrofike”, shtoi ai. Presidenti Aleksandër Vuçiç – shënjestra e zemërimit të protestuesve – iu përgjigj Djuric në një fjalim televiziv, duke e quajtur historinë një “gënjeshtër”, ndërsa stacionet pro qeveritare nisën sulmet e tyre.

 

“Të dhëna të manipuluara” –

Zyrtarisht, gati 420 njerëz kanë vdekur në këtë vend me 7 milionë banorë. Protestuesit akuzojnë autoritetet se e kanë fshehur numrin e vërtetë të vdekjeve, një akuzë që është ngritur për herë të parë nga një njësi lokale hetimore.

Anëtarët e një ekipi qeveritar të krizave kohët e fundit pranuan se numri real i vdekjeve është “pothuajse me siguri” më i lartë sepse disa pacientë që vdiqën “nuk patën mundësinë për t’u testuar”. Stana, një vendase 50-vjeçare nga Beogradi e cila nuk pranoi të jepte mbiemrin e saj, tha për AFP se është e bindur se vjehrri i saj bën pjesë në këtë kategori.

Ajo beson se ai vdiq nga sëmundja e frymëmarrjes, por nuk u llogarit në shifrat zyrtare të Covid-19, sepse nuk mund të testohej në kohë. Përvoja si kjo nxitën edhe më tepër zemërimin e protestave që filluan më 7 korrik, disa prej të cilave përfunduan në përleshje të dhunshme me policinë.

“Na kanë ardhur në majë të hundës manipulimet e shifrave të Covid-19”, tha për AFP, Danijela Ognjenovic, një protestuese 52-vjeçare. “Në këtë pikë, askush nuk u beson informacioneve që vijnë nga qeveria”, shtoi Branko Jovanoviç, 44 vjeç.

 

“Rreziku u mohua” –

Presidenti Vuçiç pretendon se vendi ka “një sistem shëndetësor që është më i mirë se ai i nëntë vendeve të Bashkimit Europian”. Por disa mjekë të vijës së parë nuk janë dakord.

Megjithëse njëherë e një kohë, kujdesi shëndetësor i Serbisë respektohej shumë – një trashëgimi e epokës socialiste jugosllave – ai është përkeqësuar për dekada të tëra. Ashtu si sektorët e tjerë, industria mjekësore ka vuajtur nga një eksod i madh i profesionistëve të rinj që largohen jashtë vendit për një pagë më të mirë, në vende si Gjermania.

Një infermier fiton mesatarisht 400 euro (455 dollarë) në muaj në Serbi, ndërsa një mjek specialist mund të fitojë pak më shumë se 800 euro, sipas të dhënave nga sindikatat e mjekëve. Tani vendit i mungojnë rreth 3.500 mjekë dhe 8,000 infermierë, sipas portalit të lajmeve ekonomike novaekonomija.rs.

Një mjek që punon në një nga repartet e COVID-19 në Beograd tha për AFP se besonte se masat fillestare shëndetësore u hoqën shumë herët, duke i lejuar presidentit Vuçiç të reklamonte fitoren kundër virusit përpara zgjedhjeve parlamentare të 21 qershorit që përcaktuan dominimin e partisë së tij.

“Deri në momentin e fundit, ekzistenca e rrezikut u mohua, edhe kur ishte e qartë”, tha ai për AFP, me kushtin e anonimitetit. “Nuk kishte asnjë përgatitje” para valës së dytë, në mënyrë që “të krijohej imazhi i një sistemi që funksionon”, tha ai. “Situata ishte e keqe dy javë më parë, tani është edhe më keq”.monitor