Frank Shkreli: Putini nuk është aleat i Amerikës

578
Sigal

Në Senatin e Shteteve të Bashkuara në Washington ka filluar procesi për miratimin ose jo të emërimeve të kabinetit të ardhëshëm të presidentit të zgjedhur Donald Trump — përfshirë edhe Rex Tillerson, i emëruar për Sekretar Amerikan të Shtetit. Ndërkaq, një grup prej 17 ish-udhëheqsish, përfshirë presidentin e Bullgarisë Rosen Plevneliev, politikanësh dhe mbështetsish të demokracisë nga mbarë Europa Qëndrore dhe Lindore,i kanë dërguar (të hënën) një letër të hapur*Z. Trump, në të cilën thonë se udhëheqsi rus, “Vladimir Putini nuk është aleat i Amerikës” dhe as “Partner i besueshëm ndërkombëtar”.Ata i bëjnë thirrje administratës së re amerikane që të mbështesë Ukrainën dhe të kundërshtojë aneksimin e Krimesë nga Moska. Në letrën e tyre, ata paralajmërojnë se do të ishte “Një gabim i madh nëqoftse u jepet fund sanksioneve të tanishme kundër Rusisë, ose të pranohet ndarja dhe skllavërimi i Ukrainës”, thekosjnë udhëheqsit europian në letrën e tyre drejtuar Z. Trump. Një gjë e tillë, shkruajnë ata, do të demoralizonte aleatët e Amerikës në rajon dhe njëkohësisht do të destabilizonte edhe ekonomitë e tyre. Për më tepër, një masë e tillë sipas tyre, do të dobësonte besimin e aleatëve ndaj Amerikës në Europë dhe më larg.

Ata shkruajnë se e mirëpresin zgjedhjen e Z.Trump si president i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe janë të gatëshëm të bashkpunojnë me administratën e re për të përforcuar aleancën transatlantike, por njëherazi paralajmërojnë se nëqoftse Donald Trump vendosë të bashkpunojë me Putinin, një gjë e tillë thonë ata, do të ketë pasoja të rënda negative, si për Europën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Nën udhëheqjen e Putinit, i shkruajnë personalitetet europiane Donald Trump-it, “Militarizmi rus, luftërat, shkelja e traktateve dhe premtimet e rreme nga ana e Moskës, e kanë bërë Europën një vend më të rrezikshëm” se përpara dhe theksojnë se Rusia nuk ia do të mirën Amerikës. Si aleatët tuaj, shkruajnë ata, ne ia duam të mirën Amerikës. “Kur Amerika na ka bërë thirrje në të kaluarën, ne iu përgjigjëm. Ne ishim me ju në Irak. Ishim me ju në Afganistan. Ne u përballën së bashku me rreziqe dhe sakrifikuam bijat dhe bijtë tanë, së bashku me ju. Ne kemi mbrojtur sigurinë tonë të përbashkët transatlantike, në një front të përbashkët. Kjo është ajo që e bën Aleancën tonë të fortë. Kur Shtetet e Bashkuara janë të forta, të gjithë ne jemi më të fortë, së bashku”, shkruajnë ata në letrën e hapur drejtuar presidentit ë ardhëshëm të Amerikës.

Në të vërtetë letra e dërguar të hënën Presidentit të zgjedhur Trump, është shumë e ngjashme me letrën që një grup personalitetesh europiano-lindore i kishin dërguar Presidentit Barak Obama kur ai filloi nga detyra si president i Shteteve të Bashkuara, Janarin e vitit 2009, në të cilën ata kishin shprehur shqetësimin e tyre se, “Vendet e Europës Lindore dhe Qëndrore nuk ishin më në qëndër të vëmendjes së politikës së jashtme të Amerikës”.Në atë letër, ata kishin paralajmëruar gjithashtu administratën e re të Presidentit Obama se, “Rusia po sillej si një fuqi revizioniste që ndjekë një agjendë (politiko-ushtarake) të shekullit 19, por me taktika dhe metoda të shekullit 21”.

Është interesant fakti se pesë nga nënshkruesit e letrës drejtuar Z. Donald Trump këtë javë, kishin nënshkruar edhe letrën dërguar Presidentit Obama në fillim të mandatit të tij, Janarin e viti 2009, duke shprehur të njëjtat shqetësime mbi rolin e Rusisë putiniste në Evropë. Nënshkruesit e letrës drejtuar administratës së re Obama, ndërkohë që ajo kishte njoftuar “një fillim të ri” në marrëdhëniet e Amerikës me Rusinë, kishin paralajmëruar se si pasojë, vendet evropiane do të humbnin besimin tek Shtetet e Bashkuara dhe se “një fillim i ri – ose ‘reset button’ siç e kishte cilësuar ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton,përmarrëdhëniet me Moskën — sipas nënshkruesve të letrës, do të shkaktonte një dobësim të lidhjeve transatlantike.

Tetë vjetë më vonë, është e qartë se– marrëdhëniet e Amerikës me Rusinë, siç shprehen edhe 17 personalitetet evropiane në letrën e tyre drejtuar këtë javë Presidentit të zgjedhur Donald Trump – shkaktojnë gjithnjë ankth, pasiguri dhe shqetësim, sidomos për vendet e Evropës Lindore dhe Qëndrore. Në këtë frymë shqetësimesh ata i bëjnë thirrje, “Administratës së re Trump dhe Kongresit Amerikan që të jenë të vendosur në mbështetje të objektivave dhe interesave tona të përbashkëta: paqës, fuqisë transatlantike dhe lirisë.” “Të bashkuar”, theksojnë ata, “ne mund të përballemi shumë lehtë me kleptokracinë e dobësuar të Rusisë, por të ndarë e të pëçarë, siç kemi parë tepër qartë vitet e fundit, të gjithë ne jemi të rrezikuar…Ne u bëjmë thirrje miqëve tanë Amerikanë që të forcojnë dhe jo të dobësojnë lidhjet tona transatlantike. Ukraina ka nevojë për mbështetje. Shtetet në periferi (me Rusinë)kanë nevojë për një mbështetje të përhershme dhe të vendosur nga ana e Amerikës. Por mbi të gjitha, Rusia duhet të dijë se kur sulmohemi, ne jemi më të fortë dhe jo më të dobët”, nënvijojnë ata në apelin e përfshirë në letrën e hapur dërguar Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili fillon detyrën pas ceremonisë së betimit me 20 Janar, 2017.

Ndërkaq, ditën e parë të dëshmive të tija të mërkurën, para Komisionit të Senatit Amerikan për Punët e Jashtme, i emëruari për Sekretar Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson u zotua se do të “rivendosë rolin udhëheqës amerikan në botë” duke theksuar se duhet të jemi të qartë në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë. “Rusia sot”, u tha ai senatorëve, “përbën një rrezik. Ajo invadoi Ukrainën, përfshirë Krimenë dhe njëkohsisht shkeli ligjet e luftës. Por ishte edhe mungesa e rolit udhëheqës amerikan që e la derën hapur për këtë (invadim), shtoi ai. Në përgjigje të një pyetjeje mbi marrëdhëniet ruso-amerikane para Komisionit të Senatit, Z. Tillerson theksoi se “Nuk ka të ngjarë që të jemi miq me rusët. Ne nuk ndajmë të njëjtat vlera, por ka mundësi për një marrëdhënie ndryshe, me qëllim uljen e temperaturës në konfliktet që kemi sot” me Rusinë. “Dialogu është kritik për këto gjëra, ashtuqë situata të mos dalëjashtë kontrollit”, u tha senatorëve i emëruari i Z. Donald Trump për Sekretar Amerikan të Shtetit, Z. Rex Tillerson.

Letra e 17 përfaqsuesve evropiano-lindorë drejtuar administratës së re amerikane është një shprehje e justifikueshme e shqetësimeve të mëdha anë e mbanë Evropës në lidhje me përhapjen e influencës ruse në ish-vendet komuniste dhe më gjërë, përfshirë edhe vendet e Ballkanit, ndëkohë që kohët e fundit janë shtuar përpjekjet propagandistike dhe aktiviteti diplomatik i Moskës, anë e mbanë kontinentit evropian. Shqetësimet e tyre janë të justifikuara dhe meritojnë vëmendje nga adminsitrata e re. Askush nuk i njeh rusët më mirë se Evropa Lindore dhe Qendërore.
“Evropianët kanë të drejtë. Ata kishin paralajmëruar administratën e Presidentit Obama mbi rreziqet e angazhimit me Rusinë”, thotë për gazetën Washington Post, Peter Doran, zëvëndës president i Qendrës së Analizave të Politikës Evropiane të analistit të njohur Janusz Bugajski, me qëndër në Washington. Tashti, theksoi ai, përballë një mundësie tjetër për marrëdhënie të reja me Rusinë, “Vendet evropiano-indore dhe qëndrore po paralajmërojnë presidentin e ri amerikan që të mos bëjë të njëjtat gabime të para-ardhësve të tij.”
Gazeta Washinton Post shkruan se ndërsa administrata Trump po përgatitet të marrë fuqinë në dorë, shpresohet se njerëz me përvojë dhe të aftë në radhët e administratës së re, do të argumentojnë me vendosmëri dhe bindshëm, në favor të mbështetjes dhe të ruajtjes së marrëdhënieve transatlantike dhe që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë pranë, dhe me aleatët e tyre evropianë, me të cilët Amerika,për dekada me radhë, ka ndarë interesat dhe vlerat e përbashkëta. Marrëdhëniet me Putinin nuk duhet në asnjë mënyrë të bëhën në kurriz të interesave dhe sigurimit të aleatëve amerikanë në Evropë, përfundon gazeta me influencëe kryeqytetit amerikan, Washington Post.
Frank Shkreli