Francë / Punonjësit e teatrit dhe kinemasë protestojnë kundër mbylljes

244
Sigal

Mijëra njerëz që punojnë në industrinë franceze të teatrit dhe kinemasë protestuan në Paris të Martën kundër mbylljes së zgjatur të objekteve argëtuese mes pandemisë së koronavirusit.

Franca herët të martën hoqi një bllokim të pjesshëm të vendosur në 30 tetor, por do të mbajë ende masa të rrepta të paktën deri në 7 janar, duke përfshirë një shtetrrethim nga ora 8 e pasdites deri në 6 të mëngjesit, pasi numri i infeksioneve mbetet i lartë.

Teatrot, kinematë dhe sallat e tjera të shfaqjes, së bashku me baret dhe restorantet, do të qëndrojnë të mbyllura gjatë pushimeve.

Punëtorët në sektorin e kulturës u mblodhën në Place de La Bastille, përpara shtëpisë moderne të operës që është mbyllur për javë të tëra.

Midis tyre, Veronique Bellin, nëndrejtor i teatrit të ri të Montreuil në periferinë lindore të Parisit, tha se masat shëndetësore kishin qenë në vend para bllokimit për të mbrojtur spektatorët. “Sot ne shohim që qeveria pranon që kishat të hapen përsëri, dhe këto janë kushtet e njëjta, por njerëzit nuk mund të shkojnë në teatër ose kinema. Ne nuk e kuptojmë,” tha ajo.

Qeveria njoftoi javën e kaluar një paketë mbështetëse shtesë prej 35 milion euro (42 milion dollarë) për sektorin e kulturës. Megjithatë protestuesit shprehën frikën se shumë punë nuk do t’i mbijetojnë krizës.

Dizajneri i skenës Thibault Sinay tha: “Ne dëgjojmë për para të mëdha që paralajmërohen, por, për prodhimet dhe krijimet teatrore, nuk shohim të vijnë para. Kjo është vërtet e vështirë për ne. ”

Kjo është hera e dytë që teatrot dhe kinematë franceze mbyllen për të ngadalësuar përhapjen e Covid-19. Ata u mbyllën nga marsi në qershor, gjatë bllokimit të parë.

Autoritetet shëndetësore deklaruan mbi 10,000 infeksione të reja të konfirmuara ditore javën e kaluar. Të hënën, ata raportuan 372 vdekje nga COVID-19 në spitale, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve të vendit në më shumë se 58,000.