FOTO/ Mediat greke: Tre persona të plagosur, dhjetë banesa të shembura nga tërmeti

387
Sigal

Tërmeti i fortë që goditi Greqinë sot pas mesnate ka shkaktuar tre të lënduar.

Mediat greke shkruajnë se deri më tani ka shkuar në 10 numri i ndërtesave të shembura. Lëkundjet janë ndierë edhe në Shqipëri.

Tërmeti kishte magnitudë 5.6 të shkallës Rihter dhe sipas Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës ka shkaktuar dëme serioze në disa zona ku janë shembur 10 shtëpi.

Dëmet e mëdha janë shkaktuar në Kanalaki, Glyki, Skafidoti, Skoteinos, Kypseli dhe disa fshatra në Komunën Souli.

Tërmeti u ndje në Thesprotia dhe Preveza, në Janinë, Arta, Korfuz dhe në zonën më të gjerë, madje deri në Shqipëri.

Tre persona u plagosën lehtë pasi u ranë mbi kokë objektet brenda në shtëpitë e tyre dhe u dërguan në një spital të Janinës.

Mediat greke raportojnë se kanë qenë dy tërmete të fortë me madhësi 4.3 dhe 5.6. I pari pak para mesnatës dhe i dyti pak pas mesnate, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.