Falenderimet nga SHBA/ Rama bëhet më afgan se afganët në mediat e huaja

228
Sigal

Një shkrim i DW mbi qasjen e Bashkimit Europian ndaj refugjatëve afganë, sjell një për një qëndrimet që kanë mbajtur disa vende europiane në lidhje me këtë çështje. Hezitimi është i qartë. Disa kanë refuzuar kategorikisht. Vende si Austria, Greqia, Suedia, Danimarka i kanë thënë JO kërkesës së amerikanëve për të strehuar bashkëpuntorët e tyre në Afganistan. Liderë të tjerë europianë po tregohen të kujdesshëm.

Gjermania është e paqartë. Makron ka folur për “valë të pakontrolluara”. Italianët nuk janë shprehur fare, ndërsa Holanda dhe Spanja janë të qartë se duhet të strehojnë pak dhe përkohësisht.

Vetë presidenti Biden, në konferencën pas shpërthimit të krizës në Kabul, kur mijëra afganë tentuan arratisjen, kujtoi se ata kishin edhe një zgjedhje tjetër: të qëndronin dhe të luftonin kundër talebanëve. “Trupat amerikane nuk mund dhe nuk duhet të luftojnë në një luftë dhe të vdesin në një luftë që forcat afgane nuk janë të gatshme të luftojnë për veten e tyre” tha ai, duke ia lënë një pjesë të fajit vetë afganëve.

Por në Shqipëri, ndryshe nga vendet e BE, ka entuziasëm për këtë shans që na u dha për t’iu gjendur pranë popullit afgan. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është futur një fushate propagandistike në dy anë, brenda dhe jashtë vendit për të ndihmuar afganët.

Në reagimin e parë iu drejtua shqiptarëve. Pasi evokoi traditat e mikpritjes dhe momentet historike kur ne shqiptarët ishim sjellë denjësisht me popullin hebre, në mënyrë kontradiktore lëshoi edhe një seri sharjesh dhe ofendimesh për ndjekësit e tij në Facebook.

Rama i quajti “shqipo mendjefikur“, “mallkues pa din e pa iman” të Facebookut, për “llum njerëzor me shqipe bazike dhe me 100 fajlë fjalor të shkruara për ibret”. Paragrafët ishin të mbushur me armiqësi kundër armiqve me “kafshim të helmatisur“, “të verbër” me “patriotizëm si të talebanëve” , të cilët tjetrin e konsiderojnë si një kundërshtar që duhet “sakatuar e poshtëruar”.

Gadishmëria që tregoi për të hapur kufijtë për afganët e mbetur në Kabul, u shoqërua me një falenderim personal nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, me një reagim nga Senati amerikan dhe me një vlerësim të ish-sekretares Allbright.

“Populli i Shqipërisë po i tregon edhe një herë botës se çfarë do të thotë “BESA”. Ju keni respektin dhe falenderimet tona”, u shkruajt në llogarinë e Twitterit të Komitetit të Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë.

BESA – atëherë kur ka më shumë rëndësi, populli shqiptar tregon gjithnjë nder, guxim dhe mirësi. Ne jemi krenarë që ju kemi miqtë dhe aleatët tanë.”, shkruajti ambasadorja amerikane në Twitter.

Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright shprehu mirënjohjen ndaj Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Kanadasë për vendimin e tyre për t’iu ofruar strehë afganëve.

Lexo edhe: Kaos, kundërthënie dhe gënjeshtra rreth refugjatëve afganë

Lexo edhe: Rama: Ne ishim afganë që po i iknim ferrit tonë

Reagimet pozitive të amerikanëve e karikuan Edi Ramën për një seri intervistash në mediat e huaja. Pasi telendisi shqiptarët, iu kthye europianëve me tone megallomanie.

Në intervistën që dha për The Guardian, kryeministri i Shqipërisë u shpreh: “Nuk mund ta kuptoj se si vende më të pasura mund t’u kthejnë shpinën atyre. Kjo bie ndesh me vlerat që ne të gjithë predikojmë”. E kishte fjalën për ata vende të BE-së që nuk pranojnë të strehojnë më shumë refugjatë.

Për spanjollen El Periodico, reklamoi kushtet e mira, me të cilat do t’i priste afganët në Shqipëri kur tha se do t’i vendoste në “shtëpi ose hotele të caktuara nga qeveria” dhe jo në kampe për emigrantë, një formë pritjeje të cilën e quajti “çnjerëzore”.

Për gazetën italiane Il Foglio i përshkroi europianët që janë kundër strehimit të afganëve si njerëz “hipokritë” dhe “pa kujtesë”.

Për BBC sot, kritikoi sërish europianët, që sipas tij i kanë harruar luftërat. “Mos harroni një gjë se në Evropën Perëndimore njerëzit i kanë harruar luftërat. Luftërat për ta janë thjesht dokumentare në Netflix” tha Rama.

Dë shpjegon se disa prej liderëve europianë janë të shqetësuar për efektet që do të ketë strehimi i më shumë refugjatëve në vendet e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka një shqetësim të tillë.
Që nga dita e pare, ka marrë flamurin e dhembshurisë për refugjatët dhe po e tund me një zell që e bën të duket më afgan se afganët