Ekzekutimi i shqiptarit në Ekuador/ Nisin hetimet, kontrollohen imtësisht kamerat e sigurisë

261
Sigal

Vrasja e shqiptarit Ergys Dashi ka bërë që autoritetet vendase të ngrihen në këmbë.

Pasditen e sotme, presidenti i vendit Guillermo Lasso është takuar me drejtorin e policisë dhe kryebashkiaken e Guayaquil-it, Cynthia Viteri.

Viteri deklaroi se dy ditë më parë ka dorëzuar në qeveri bazën e të dhënave në mënyrë që kamerat për njohjen e fytyrës të funksionojnë siç duhet. Ndërkohë në muajt në vazhdim kamerat do të shtohen në 15 mijë nga 2 mijë që janë aktualisht.

Sipas Viterit një kërkesë që ka mbetur pezull është edhe autorizimi i përdorimit të armëve jovdekjeprurëse për agjentët që po trajnohen për të mbështetur punën e policisë.

Dashi u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në  Guayaquil të Ekuadorit me një plumb në kokë. Autori, i cili mbante në dorë një buqetë me lule, shkoi me vrap në drejtim të tryezës ku ai ishte ulur, e qëlloi në kokë dhe u largua.

Pasi ekzekutuan 34-vjeçarin nga Durrësi, autorët hapën zjarr edhe në drejtim të klientëve të tjerë në lokal, duke bërë që të gjithë të gjenin strehim poshtë tavolinave. Në vendngjarje u plagos edhe një vajzë. Dyshimet janë për rivalitet në trafik të kokainës.