Dyshohet për shpërthim të mundshëm në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë

79
Sigal

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është raportuar se ka dyshime për mjet shpërthyes.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 21:00 ka pranuar informatën për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Aeroport.

Zëdhënësja e PK-së për rajonin e Prishtinës, ka thënë se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën.

Po ashtu, Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme për ta siguruar lokacionin, derisa ka evakuuar edhe personat që ndodheshin në aeroport.

“Rreth orës 21:00 kemi pranuar informatën për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Airoportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situaten”, deklaroi Ahmeti.

Kjo nuk është hera e parë që ka pasur kërcënime për bombë në këtë aeroport. Një alarm për bombë, pati ndodhur edhe në qershor të vitit 2022, por që ndërkohë që kishte rezultuar alarm i rremë.

Ndërkaq, Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.

Më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Informacioni për mjet shpërthyes në Rektorat ishte pranuar drejtpërdrejt në adresën elektronike të këtij institucioni, ndërsa informacioni për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda” i kishte ardhur Policisë, e cila i evakuoi menjëherë nxënësit.

Të dy alarmet rezultuan të rreme.

Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për të dyja rastet, por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim.