Pothuajse dy vjet nga shembja e strukturës gjigante që i kushtoi jetën 43 personave, ura Morandi në Xhenova të Italisë, do të hapet të hënën.
Më 14 gusht të vitit 2018, ura u shemb gjatë një stuhie të fuqishme. Makinat që ndodheshin mbi të ranë nga një lartësi prej 45 metrash, së bashku me copëza të mëdha betoni, mbi magazinat e një parku industrial që ndodhej nën urë. Dy prej viktimave të tragjedisë ishin shqiptarë. Disa dëshmitarë okularë thanë se përpara shembjes, urën e kishte goditur një rrufe.
Ndërsa tani kjo urë do të rikthehet sërish në funksion, duke i dhënë kështu një shtysë të fuqishme morali Italisë së traumatizuar nga shpërthimi i egër epidemik i Covid-19.
Ura e re, një strukturë e teknologjisë së lartë me mekanizma të përparuar sigurie të dizajnuar nga arkitekti i famshëm italian Renzo Piano, do të inagurohet të hënën nga kryeministri Giuseppe Conte.
Mediat italiane shkruajnë se familjarët e viktimave nuk kanë pranuar që të marrin pjesë në inaugurimin e urës, por do të takohen brenda nëntë ditëve për të shënuar përvjetorin e dytë të tragjedisë.
Ndërkohë të dielën, kryeministri Conte shkroi në llogarinë e tij në “Facebook”, se të hënën do të ishte në Xhenova për përurimin e urës së re.
Nga ana tjetër presidenti, Sergio Mattarella, do të jetë i pari që do të kalojë zyrtarisht në këtë urë të re.