Dy miliard euro për shtatë vite, pse Berlini refuzoi buxhetin e Brukselit?

Dy bilionë euro për shtatë vjet: Komisioni Evropian ka plane të mëdha me një buxhet edhe më të madh. Por qeveria gjermane nuk është dakord, as ekonomia e shoqatat mjedisore.

Berlini zyrtar nuk e pranon buxhetin e BE e priten negociata të vështira në këshillimet midis shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian në të ardhmen. Qeveria gjermane i ka kritikuar propozimet kryesore të Komisionit Evropian për planet e ardhshme të buxhetit. Qeveria gjermane nuk e ka të mundur ta pranojë propozimin e Komisionit, sipas zëdhënësit të qeverisë Stefan Kornelius.

Sigal

“Një rritje e përgjithshme në buxhetin e BE është e panegociueshme në një kohë kur të gjitha shtetet anëtare po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të konsoliduar buxhetet e tyre kombëtare,” tha Kornelius.

Gjermania kontribuon me pothuajse një të katërtën

Në të ashtuquajturin Kornizë Financiare Shumëvjeçare (KFSH), Komisioni Evropian propozon një buxhet prej dy bilionë eurosh për periudhën 2028-2034. Kjo është e barabartë me rreth 700 miliardë euro më shumë sesa për periudhën aktuale buxhetore shtatëvjeçare. Ndër të tjera, janë planifikuar më shumë para për mbrojtjen dhe konkurrueshmërinë. Si shteti anëtar me peshën më të madhe ekonomike, Gjermania në përgjithësi kontribuon me pothuajse një të katërtën e fondeve.

KFSH është krijuar për një periudhë shtatëvjeçare dhe fillimisht propozohet nga Komisioni Evropian përpara se të debatohet nga shtetet anëtare të BE dhe Parlamenti Evropian. Buxheti afatgjatë përcakton kufijtë maksimalë për shpenzimet vjetore të BE dhe mënyrën se si përdoren ato.

Kritika ndaj taksimit shtesë të korporatave

Si një nga burimet e reja të të ardhurave për buxhetin e BE, Komisioni propozon një taksë mbi kompanitë e mëdha me një qarkullim vjetor prej më shumë se 100 milionë eurosh. Edhe kjo taksë shtesë mbi kompanitë e mëdha, e cila synon të lehtësojë buxhetet e shteteve anëtare, nuk e ka mbështetjen e qeverisë federale gjermane.