Dokumentet që tregojnë miliardat e fshehura nga politikanët / Hapet “Kutia e Pandorës” që do të trondisë shtete

167
Sigal

Pasuritë e marrëveshjet e fshehta të udhëheqësve botërorë, politikanëve e miliarderëve janë ekspozuar në një prej rrjedhjeve më të mëdha të dokumentacioneve financiare që besohet se për nga përmasat mund t’ja kalojnë edhe “Panama Papers”.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair dhe bashkëshortja e tij shmangën 350 mijë euro taksa teksa ablenë një pronë në Londër, përmes blerjes së një kompanie të regjistruar në parajsa fiskale.

Dokumentat nxjerrin gjithashtu lidhje mes Presidentit rus, Vladimir Putin me asete të fshehta në Monako dhe Kryeministrin çek, Andrej Babis që ka fshehur dhe nuk ka deklaruar blerjen e dy vilave në Francë me vlerë totale prej 15 milionë eurosh.

Kjo është rrjedhja e radhës e dokumentave sekrete brenda shtatë viteve të fundit, që kanë nisur me Paradisë Papers, vazhduar me Panama Papers, LuxLeaks dhe FinCen. Por, për dalllim nga të parat, “Pandora Papers” mund të hapë “Kutinë e Pandorës”, pasi janë të parat të këtij lloji që përfshijnë drejtpërdrejt pasuritë e fshehura nga politikanët.

Sipas analistëve dhe ekspertëve, kjo është vetëm maja e ajsbergut të skandalit, që mund të përshkallëzohet shumë më shumë në ditët dhe javët në vazhdim.

Dokumentat janë administruar nga konsorciumi më i madh i gazetarëve investigativë ndërkombëtarë, ICIJ, që thotë se ka angazhuar më shumë se 650 reporterë në leximin dhe zbërthimin e të dhënave.

BBC thotë se ajo ka akses së bashku me The Guardian te 12 milionë dokumenta dhe dosje nga 14 shërbime financiare dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale, përfshirë Ishujt Virxhin, Panama, Belize, Qipro, Emiratet e Bashkuara Arabe, Singapori dhe Zvicra.