645 mijë vetura/ Joe Biden gati të zëvendësojë ‘flotën’ e qeverisë me modele elektrike

227
Sigal

Presidenti amerikan Joe Biden është zotuar për ta zëvendësuar flotën e veturave të qeverisë amerikane, që numëron rreth 650 mijë me modelet e reja të veturave amerikane elektrike – me qëllim që të inkurajojë përdorimin e “energjisë së pastër”.

Pavarësisht kësaj, ai nuk ka dhënë një afat kohor për zëvendësimin e tyre apo edhe koston e një veprimi të tillë.

Biden tha se “elektrifikimi” i flotës amerikane, do të hapte vende të reja pune për prodhuesit amerikanë të veturave dhe do të rriste mobilizimin e investimeve publike.

“Elektrifikimi i flotës do të hapte miliona vende pune, në veçanti në fushën e energjisë së pastër. Qeveria federale ka në pronësi një flotë gjigante veturash që do të zëvendësohen me ato të reja elektrike që do të prodhohen në Shtetet e Bashkuara nga punëtorët amerikanë”, ka shtuar Biden.

Mendohet se, ky zëvendësim mund t’i kushtojë qeverisë amerikane rreth 20 miliardë dollarë.