‘Die Welt’: Lajçak duhej shkarkuar me kohë! Arsyeja e tensioneve është politika destruktive e Vuçiçit

31
Sigal

Gazeta konservatore gjermane “Die Welt” shkruan në një koment se sulmi në veri të Kosovës tregon se Perëndimi gjendet para një grumbulli me rrënoja. Sipas saj, Brukseli duhet ta kuptojë më në fund se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës ka dështuar. Kjo ka ndodhur për shkak të politikës destruktive të presidentit serb.

Gazeta gjermane “Die Welt” ka botuar një koment të ashpër dhe me kërkesa të qarta ndaj BE-së dhe Serbisë lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë.

“A nuk po e sheh Perëndimi se çfarë është duke ndodhur para derës së BE-së? A nuk po e vërejnë europianët se për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është punë e lehtë që atmosferën shpërthyese në Kosovë ta nxisë edhe më shumë me ndihmën e Serbisë si vend kandidat për BE dhe kështu, në rastin më të keq, ta fundosë sërish në luftë mbarë Ballkanin?”

Sipas “Die Welt”, kjo për Perëndimin do të ishte – krahas luftës në Ukrainë – një katastrofë tjetër që shkon në dobi të Moskës. “Është e hidhur të shohësh se si europianët – njësoj si më parë në Siri dhe Libi – edhe në rastin e Kosovës po dështojnë strategjikisht dhe politika europiane gjendet faktikisht para një grumbulli me rrënoja”.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e formuluar nën drejtimin gjermano-francez, sipas gazetës gjermane, nuk ka vlerë. Bisedimet mes palëve nën drejtimin e Brukselit nuk janë sjellë asgjë prej vitesh. “Miroslav Lajçaku, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, ka dështuar dhe duhej të ishte shkarkuar me kohë”, nënvizon “Die Welt”.

“Edhe sa kohë dëshiron Uashingtoni ta këqyrë këtë situatë? A po e vëren edhe presidenti i SHBA-ve Joe Biden rrezikun e përhapjes së zjarrit?”, pyet kjo e përditshme.

“Mes qeverive të Kosovës dhe Serbisë nuk ka më besim. Ky është një problem i madh. Sigurisht edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë gabime, ta zëmë duke i vendosur kryetarët shqiptarë në komunat në veri të Kosovës. Por arsyeja e vërtetë e tensioneve është politika destruktive e Vuçiçit. Ishin huliganët kriminelë serbë të futbollit që në pranverë sulmuan ushtarët e NATO-s dhe i lënduan rëndë. Ishte Vuçiçi, i cili e dërgoi ushtrinë në kufirin kosovar dhe i tërhoqi zyrtarët serbë nga policia kosovare. Frika nga radikalizimi i mëtejshëm i Serbisë, por edhe nga një aleancë edhe më e ngushtë mes Beogradit dhe Moskës po e bën Perëndimin të tregohet shumë i butë ndaj Vuçiçit. Ky është një gabim trashanik”.