Dëmtimi i urës që lidh Krimenë me Rusinë, goditje ndaj korridoreve ruse të furnizimit të luftës

116
Sigal

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar masa për të forcuar sigurinë përgjatë urës kyçe që lidh Rusinë me Krimenë, pas një shpërthimi të fuqishëm që shkaktoi shembjen e një pjese të saj. Ura e Kerçit 20 kilometra e gjatë është një arterie e rëndësishme për furnizimin e trupave ruse që luftojnë në Ukrainë.

Ajo është parë nga Kremlini si një simbol i kontrollit të pretenduar mbi Krime, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014. Deri tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin që ndodhi të shtunën herët në mëngjes, por dëmtimi i urës po shihet si një goditje e rëndë për Rusinë dhe Presidentin Putin.

Lëvizja e mjeteve ka rifilluar në urën e dëmtuar që lidh Rusinë me Krimenë. Zyrtarët rusë thonë se po shfrytëzohet pjesa e urës që është e padëmtuar. Ura u dëmtua rëndë të shtunën pas një shpërthimi të madh.

Autoritetet ruse thanë se një kamion i ngarkuar me eksploziv shpërtheu mbi urë. Disa vagonë trenash morën zjarr dhe një pjesë e urës u shemb.

Sipas disa komentuesve, kjo ishte një fitore tronditëse në fushëbetejë për Ukrainën, por edhe një goditje për Presidenti Putin dhe për popullin rus.

Pamjet satelitore tregojnë përmasat e mëdha të dëmit. Zjarri dhe tymi u shfaqën nga një tren që transportonte karburant, ndërsa një pjesë e urës vazhdon të jetë e rrëzuar nën ujë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ngritjen e një komisioni për të hetuar shpërthimin. Zëvendës kryeministri rus vizitoi objektin të shtunën, për të parë nga afër dëmin e shkaktuar. Ai u pa duke biseduar me ekipet për riparimet që do të bëhen.

Presidenti Putin urdhëroi vendosjen e masave më të forta të sigurisë për urën, si dhe për infrastrukturën nëpërmjet së cilës furnizohet Gadishulli i Krimesë.

Ukraina nuk mori drejtpërsëdrejti përgjegjësinë për sulmin. Por gjatë një fjalimi, Presidenti Zelensky iu referua shpërthimit, duke e përshkruar Krimenë si “me re, por të ngrohtë”. Ai shtoi se ukrainasit janë drejt një të ardhmeje “pa pushtues”, në veçanti në Krime, dhe se shansi më i mirë për pushtuesit është që të largohen sa kanë ende mundësinë.

Ky sulm ndaj urës ndodhi ndërsa Ukraina vazhdon të çajë përmes vijës së forcave ruse në pjesët jugore dhe lindore të vendit./ VOA