Çka kërkon tregu i punës e çka studiojnë të rinjtë në Kosovë?

39
Sigal

Mjekësia e përgjithshme, inxhinieria kompjuterike dhe softuerike, gjuha gjermane dhe infermieria janë disa nga programet më të kërkuara nga studentët e rinj në vitin akademik 2023/24, tregojnë të dhënat e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Por, a janë këto profesione që i kërkon tregu i punës në Kosovë?

Mjekët dhe infermierët – po. Institucionet shëndetësore, prej vitesh, raportojnë mungesa të stafit.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova – kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian – në periudhën 2018-2021. Ngjashëm edhe infermierët.

E bindur se në këtë situatë do të mund të gjejë më lehtë një vend pune, Natyra Statovci thotë se ka zgjedhur të studiojë në Fakultetin e Mjekësisë.

“Rol të madh në përzgjedhjen e këtij profesioni ka pasur edhe fakti se ka përfitime të mëdha… përgatitesh mirë për tregun e punës”, thotë prishtinasja e re, që do t’i nisë studimet në këtë vit akademik.

Çdo vit, mijëra të rinj që diplomojnë në drejtime të ndryshme në Kosovë, përfundojnë të papunë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, papunësia te të rinjtë 15 deri në 24 vjeç aktualisht është 19 për qind.

“Ndryshim pozitiv”

Krahasuar me vitet e kaluara, ekspertë të arsimit thonë se ka një ndryshim pozitiv në këtë drejtim – maturantët kanë zgjedhur të studiojnë profesione që i kërkon tregu i punës.

Megjithatë, thonë ata, shpërputhjet midis kërkesave të tyre dhe kërkesave të tregut vazhdojnë.

“Këtë e dëshmon numri i madh i të diplomuarve që punësohen në profile të ndryshme nga profilet e studimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Rinor Qehaja, drejtor i Institutit EdGuard në Prishtinë, i cili merret me çështje të edukimit.

Një sektor në rritje në Kosovë është ai i teknologjisë informative.

Aktualisht janë 1.950 kompani që ofrojnë shërbime të teknologjisë informative dhe komunikimit, në krahasim me 930 sa kanë qenë para pandemisë COVID-19. Rritja më e madhe e sektorit ndodhi vitin e kaluar, kur u shtuan mbi 700 kompani të reja.

Të dhënat e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës tregojnë se kërkesat për studime në programin inxhinieri kompjuterike dhe softuerike janë disa fish më të larta sesa vendet e lira.

Për 150 vende në këtë program të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike kanë aplikuar 449 kandidatë.

Blerim Rexha, profesor në këtë fakultet, thotë se këto shifra tregojnë se të rinjtë janë duke e kuptuar se ky profesion ka të ardhme premtuese.

Rexha thotë se për t’u rritur numri i studentëve të pranuar, duhet më shumë staf akademik, që do të thotë më shumë buxhet për Universitetin e Prishtinës.

“Për vitin tjetër planifikojmë ta rrisim numrin e stafit, e me këtë do ta rrisim ndjeshëm edhe numrin e të pranuarve – gjithnjë në pajtueshmëri me kërkesat ligjore të vendosura nga Agjencia e Kosovës për Akreditim”, thotë Rexha për Radion Evropa e Lirë.

Numri më i madh i studentëve në Ekonomik

Në 14 fakultetet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në vitin e parë të studimeve themelore për vitin akademik 2023/2024, është planifikuar të regjistrohen 4.192 studentë.

Zyrtarë të Rektoratit të UP-së bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në afatin e parë të konkursit kanë aplikuar 6.104 maturantë dhe janë pranuar 3.393. Të tjerë pritet të pranohen në afatin e dytë në muajin shtator.

Në dy vjetët e fundit akademikë, sipas Rektoratit të UP-së, programet më me interes për studentët e rinj janë pothuajse të njëjta.

Megjithatë, bazuar në statistikat e UP-së të 10 vjetëve të fundit, numri më i madh i studentëve vazhdon të jetë në Fakultetin Ekonomik – mbi 15 mijë në një dekadë – dhe në Fakultetin Juridik afro 10 mijë.

Kjo, pavarësisht se disa përfaqësues biznesesh thonë se tregu aktual i punës ka më pak nevojë për të diplomuar që dalin nga këto drejtime.

“Ne, vazhdimisht, kemi prodhuar disa profesione që shumica kanë qenë administrative, dhe kanë munguar shumica e profesioneve teknike-inxhinierike. Bizneset po detyrohen të marrin ekspertë të fushave të ndryshme nga vendet e tjera, për shkak se në Kosovë kemi të diplomuar, por që nuk janë të atyre profileve që kërkohen”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

Ai sqaron se nga vendet e tjera merren kryesisht njerëz për sektorin e inxhinierisë dhe atë të menaxhimit, por thotë se mungojnë edhe kuadro të tjera, si saldues, metalpunues e të tjerë.

Me programin e saj katërvjeçar, Qeveria e Kosovës zotohet se do ta harmonizojë arsimin dhe aftësimin profesional me kërkesat e tregut të punës.

Nga viti i ri shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se mësimi dual – që nënkupton aftësimin në një kompani të caktuar në kombinim me lëndët e një shkolle profesionale – do të zgjerohet edhe me tetë profile të reja.

Ky lloj mësimi ka filluar për herë të parë vitin e kaluar në katër shkolla profesionale, me katër profile: kuzhinier, asistent mikpritës në hotelieri, floktar dhe murator.

Pritet të zgjerohet edhe me rrobaqepësi, automekanik, metalpunues, përpunues druri etj./REL