BE planifikon të bëjë Bitcoin-in më të gjurmueshëm

144
Sigal

Bashkimi Europian propozon ndërhyrje në legjislacion për të detyruar kompanitë që transferojnë Bitcoin, apo kripto-asete të tjera që të mbajnë një regjistër me detaje mbi transferuesin dhe marrësin e tyre.

Sipas Komisionit, propozimi në fjalë do të ndihmojë në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndërsa do të bënte të paligjshme mbajtjen anonime të portofoleve me kriptovaluta.

Nisma është në fazë fillestare dhe për miratimin e saj përfundimtar, duke llogaritur edhe pengesat që mund të shfaqen nga 27 vendet anëtare të unionit ajo mund të shndërrohet në ligj jo para dy vitesh.

“Duke pasur parasysh se transfertat e aseteve virtuale janë subjekt i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ashtu si transfertat e parave, duket logjike që të përdorim të njëjtat instrumente ligjore për të përballuar këto çështje”, thotë Komisioni.

Disa shërbime të kripto-aseteve mbulohen aktualisht nga rregulla kundër pastrimit të parave, por propozimi i Komisionit synon t’i shtrijë këto rregulla në të gjithë veprimtarinë e kriptovalutave, duke detyruar të gjithë aktorët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë sektor që të grumbullojnë të dhëna për klientët e tyre.

Rregullat e reja propozojnë që një kompani që transferon kripto-asete te një klient nuk mund ta bëjë këtë në mënyrë anonime, por duhet të japë emrin, adresën, datën e lindjes dhe numrin e llogarisë ku transferohen asetet.