BE paralajmëron sërish Kosovën rreth Gjykatës së Posaçme

638
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë si dhe misionet diplomatike të vendeve të BE-së, paralajmëruan sërish të premten për pasojat që mund të ketë shfuqizimi i Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë.
Në një komunikatë të përbashkët të publikuar të premten thuhet se “nisma, ende në pritje në parlamentin e Kosovës, është jashtëzakonisht shqetësuese për Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare”.
Në komunikatë theksohet se në vitin 2014 Kosova u angazhua me Bashkimin Evropian për ngritjen e gjykatës. Ky ishte një hap i rëndësishëm për të dëshmuar përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Së këndejmi, Bashkimi Evropian mirëpriti ngritjen e gjykatës të njohur si dhomat e specializuara nga parlamenti i Kosovës në vitin 2015.
“Çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara dëmton seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikonte punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës për sundimin e ligjit. Kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në”.
Prandaj, Bashkimi Evropian u bën thirrje “nismëtarëve në parlament që ta tërheqin atë”, thuhet në komunikatë në të cilën mirëpriten deklaratat publike të udhëheqësve politikë në mbështetje të detyrimeve të Kosovës. Po ashtu BE-ja mirëpret ngritjen e zërit nga media dhe shoqëria civile kundër kësaj “nisme të dëmshme”, ndërsa thekson “mbështetjen e BE-së ndaj përparimit të Kosovës në integrimet e saj evropiane”.
Me 22 dhjetor një grup prej 43 deputetësh hodhi nismën për të shfuqizuar ligjin mbi Gjykatën e Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Nisma nxiti reagime të ashpra të diplomacisë perëndimore.
Departamenti amerikan i shtetit u bëri thirrje “me forcë udhëheqësve aktualë të Kosovës dhe anëtarëve të Parlamentit që mos ta zhbëjnë atë arritje duke e prekur gjykatën tani ose në të ardhmen”.
Ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore në Kosovë paralajmëruan për pasojat e rënda që mund të ketë për vendin përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme.
Berlini dhe Parisi dërguan një delegacion për të takuar përfaqësuesit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë për të diskutuar pasojat e një nisme të tillë.
Të mërkurën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se vendimi për ngritjen e Gjykatës së Posaçme është në fuqi, ndërsa i quajti të panevojshme siç tha, teprimet rreth kësaj çështjeje duke krijuar një panik tek qytetarët e vendit. Ai kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për qasje diskriminuese ndaj Kosovës kur flitet për trajtimin e krimeve të luftës si dhe proceset integruese të saj.
Çështje është ende pezull, pasi që parlamenti i Kosovës ndodhet në pushim dimëror deri më 15 janar. Por, kryetari i parlamentit Kadri Veseli njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në një shkrim autorial kishte thënë se Gjykata e Posaçme nuk do të mund të ndalet ndërsa ka kritikuar partitë opozitare dhe faktorët ndërkombëtarë për qasjen e tyre ndaj nismës së deputetëve.
Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet
Sigal