BE kërkon mandat për luftimin e trafikantëve të njerëzve

561
Refugjatë në Mesdhe
Nën drejtimin e Britanisë së Madhe, disa shtete anëtare të BE kanë formuluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një projektrezolutë të parë, për të luftuar trafikantët e njerëzve në bregdetin e Libisë. E ngarkuara me politikën e jashtme të BE, Federica Mogherini e formuloi në një takim informal të hënën personalisht në New York kërkesën duke paraqitur situatën në Mesdhe. Pas një udhëtimi në Kinë, Mogherini u tregua optimiste se mund të eliminohen rezervat kineze kundër një rezolute. Ministria e jashtme italiane në Romë bëri të ditur se edhe Rusia do të bashkëpunojë. Kina dhe Rusia duhet të bien dakord për një rezolutë të mundshme, si anëtarë të përhershëm të KS të OKB-së.
“Të shpallësh luftë”
Në takimin e nivelit të lartë të BE, në 23 prill, BE u zotua që në të ardhmen të diktojë menjëherë në bregdetin libian ose që në tokë anije me refugjatë, që transportojnë në mënyrë ilegale refugjatë për në Itali dhe t’i ndalojë e shkatërrojë ato. Për këtë nevojitet një mandat i OKB-së, sepse BE do të shkelte të drejtën e sovranitetit të shtetit – qoftë edhe jofunksional- të Libisë. BE synon të marrë një mandat në bazë të Nenit VII të Kartës së OKB-së, që e autorizon të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme”, për të “shkatërruar modelin e biznesit të trafikantëve të njerëzve.” Komisari i BE për çështjet e Refugjatëve dhe Migrimin, Dimitris Avromopoulos dëshiron t’i kërkojë në mënyrë sistematike varkat dhe anijet me refugjatë. “Evropa u ka shpallur tashmë luftë bandave kriminale, të cilat shfrytëzojnë njerëz të pafajshëm dhe i dërgojnë shpesh drejt vdekjes. Ne nuk do të shohim duarlidhur. Me vullnet të fortë politik, me vendosmëri dhe me metoda të reja si dhe me më shumë mjete ndërhyrjeje ne do t’i mbërthejmë ata”, tha Avramopoulos në prill.
Model misioni anti-pirat
BE dëshiron që misioni anti-trafik të ndërtohet në mënyrë të ngjashme si misioni “Atalanta” para Somalisë, me të cilin u luftuan piratët. “Atalanta” u miratua në verë 2008 nga KS i OKB-së. Atëherë qeveria e Somalisë u shpreh dakord që të luftoheshin piratët. Gjendja tani në Libi është e ndryshme. Atje ka dy qeveri konkurruese dhe një sërë grupesh kryengritësish, që luftojnë kundër njëri-tjetrit. Në Bruksel, sipas një raporti të gazetës “Guardian” , diplomatët e BE druhen se grupet e kryengritësve që trafiku mund të nisin kundërsulme. Kryengritësit një pjesë e të cilëve janë të armatosur rëndë mund të sulmojnë me raketa, artileri dhe predha kundërajrore anijet dhe avionët e BE para bregdetit sirian. Gjendja mund të shkallëzohet dhe të bëjë të nevojshme angazhimin e NATO-s.
Sigal

BE kërkon mandatin e OKB-së

Sipas planeve të BE, komandën ushtarake për misionin anti-trafikant njerëzish do të ketë Italia. Britania e Madhe do të vërë në dispozicion një anije lufte dhe helikopterë. Pesë vende të tjera kanë sinjalizuar tashmë pjesëmarrjen e tyre, u tha në Bruksel.
“Çfarë do të zgjidhë ky angazhim?” Shumë kritikë kanë dyshim, që trafikimi i refugjatëve do të mund të ndalohet me të vërtetë me mjete ushtarake. Edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon nuk është i bindur. Ai paralajmëron që sulmet ndaj varkave dhe anijeve mund t’u rrëmbejnë peshkatarëve në bregdetin libian bazën e jetesës. Peshkatarët do të jenë atëherë të detyruar që të bashkëpunojnë më ngushtë me bandat e trafikantëve. Këtë e ka të qartë edhe BE. “Një stabilizim i gjendjes do të jetë i mundur vetëm në plan afatgjatë. Prandaj nga opsioni i emergjencës ne duhet të kalojmë në zgjidhje afatgjata, strukturore”, kërkon Komisari i BE, Avramopoulos. Si pjesë tjetër të zgjidhjes,Komisioni Evropian do të propozojë të mërkurën një sistem kuotash për shpërndarjen e refugjatëve të shpëtuar në të gjitha shtetet anëtare të BE. Por një sistem kuotash është tepër i diskutueshëm në BE. Britania e Madhe, Finlanda dhe një sërë shtetesh të Evropës Lindore e kundërshtojnë në mënyrë kategorike pranimin e refugjatëve të tjerë. Kryeministri hungarez, Viktor Orban i quajti planet e KE thjesht “një ide të çmendur.”