“Bashkë, Përpara”, Hillary Clinton themelon grupim politik

505
Hillary Clinton është rikthyer në politikë në mënyrë indirekte, teksa ka themeluar grupimin “Bashkë Përpara”, i cili do të financojë kauza progresiste. Pas një investigimi, mediat amerikane kanë zbuluar se ish-Sekretarja e Shtetit ka kontaktuar menjëherë me grupe të tjera të cilat kanë organizuar protesta kundër Presidentit Trump, dhe të cilat mendohet se do të marrin financime gjatë muajve në vijim.

Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të mbajtura gjatë vitit të shkuar, Hillary Clinton, është kthyer në mënyrë indirekte në botën e politikës, duke themeluar grupimin politik “Bashkë, Përpara”.

Lajmi është konfirmuar nga vetë ish-Sekretarja e Shtetit, e cila përmes postimeve në rrjetin social twitter, shkroi se në muajt e fundit kishte reflektuar dhe kishte shpenzuar kohë me familjen.

Ajo shtoi se lancimi i grupimit “Onvvard Together”, ka për synim që të përfshijë njerëz, t’i organizojë e madje edhe t’i shtyjë që të garojnë për zyra të administratës.

Në portalin zyrtar të nismës, shkruhet se grupimi i ri politik do të tentojë të avancojë vlerat progresiste si dhe do të punojë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për gjeneratat që do të vijnë.

Pas një investigimi të bërë nga mediat amerikane, raportohet se Clinton ka kontaktuar organizata të shumta që përgjatë muajve të fundit kanë protestuar kundër politikave të Presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Sipas tyre, një pjesë e fondeve do të shkojnë në drejtim të tyre me qëllim që të ketë rezistencë ndaj politikave që rrezikojnë të sjellin përçarje të thella në rradhët e qytetarëve amerikanë.

Ky është angazhimi i parë konkret i Clinton, që prej humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit të shkuar përballë, ish-rivalit të saj Donald Trump.
Sigal