Bankat dhe shërbimet online në Turqi, çoroditen nga sulmet kibernetike

427
Bankat turke kanë rënë pre e një serie sulmesh kibernetike në ditët e fundit, të cilat kanë shkaktuar probleme serioze në shërbimet bankare dixhitale.
Lajmin është bërë i ditur nga “Hurriyet Daily News”, e cila shkruan se sulmet ndodhën në një kohë kur Turqia vazhdon përplasjen e saj diplomatike me Rusinë, si dhe pak kohë pas një paralajmërimi për një sulm nga grupi i piratëve informatikë, Anonymous. 
Sulmi dyjavor kibernetik kundër sektorit bankar turk arriti kulmin me 24 dhjetor, me bllokimin e aksesit në shërbimet bankare online të disa prej institucioneve financiare me një numër të madh klientësh. 
E teksa sulmet shkaktuan shqetësime në aspektin e sigurisë elektronike, burime të besueshme nga sektori bankar thanë për “Hurriyet” se piratët nuk kishin depërtuar në sisteme, por kishin krijuar trafik për të vonuar sa më shumë aksesin e klientëve në llogaritë e tyre online. 
“Ata nuk kanë hyrë në sistemin bankar, ata thjesht kanë krijuar trafik për të penguar aksesin. Me pak fjalë, ata kanë ardhur deri tek dera, por nuk kanë hyrë dot.Kështu që nuk ka rrezik sa i takon sigurisë Sulmet kibernetike nuk bëhen për para. Në shumicën e rasteve ato janë një ndërhyrje për të tërhequr vëmendjen”, tha një nga burimet. 
Ndërkohë, kompania e internetit në Turqi, “Turk Telekom” tha për gazetën se, edhe pse sulmet kibernetike kanë qenë të vazhdueshme, janë marrë masa për përballimin e tyre. “Ne presim një tjetër sulm të madh si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë Turqisë”, deklaroi kompania. 
Sigal