“Artisti i arratisjes”- Ekstradohet nga Brazili bosi i mafias italiane, si ra në prangat e policisë pas sherrit me gruan

123
Sigal

Një nga njerëzit më të kërkuar në Itali, mafiozi Rocco Morabito, ka mbërritur në Romë pasi u ekstradua nga Brazili, ku kishte qenë i fshehur.

I njohur si “mbreti i kokainës së Milanos”, Morabito u arrestua në maj të vitit të kaluar në një operacion të përbashkët të policisë braziliane dhe italiane.

55-vjeçari do të vuajë dënimin me 30 vite burg për trafik droge.

Bosi i mafias kaloi dekada në arrati duke përdorur një identitet të rremë në Amerikën e Jugut.

Policia më në fund e gjurmoi vitin e kaluar në João Pessoa, një qytet port në Brazilin verilindor, ku ai u arrestua së bashku me një tjetër anëtar të grupit mafioz “Ndrangheta”, Vincenzo Pasquino. Pasquino rezulton gjithashtu i dënuar me 17 vjet burg për trafik droge.

Mbërritja e Rocco Morabito në Romë i jep fund një gjuetie prej dekadash.

I lindur në qytetin kalabrez të Afrikos dhe me lidhje familjare me bosin mafioz Giuseppe Morabito, Rocco Morabito u bë një figurë kyçe brenda Ndrangheta-s, rrjeti i përhapur kriminal që kontrollon pjesën më të madhe të trafikut të kokainës në Itali dhe më gjerë.

Si i ri, Morabito shpejt bëri emër si një trafikant droge në Milano, duke krijuar rrugë kyçe të kontrabandës së kokainës nga Amerika e Jugut drejt qytetit italian.

Ai u regjistrua duke u përpjekur të ndërmjetësonte një  marrëveshje për të importuar më shumë se një ton kokainë nga Amerika e Jugut, por u zhduk fill pas saj.

Policia mendon se ai iku në Brazil, ku jetonte me emrin e supozuar Francisco Capeletto.

Nga atje, ai u zhvendos në Uruguain fqinj, ku jetoi në vendpushimin e Punta del Este për të paktën 13 vjet.

Rocco Morabito jetonte në një vilë në Punta del Este, të cilën e kishte mbushur me vepra arti. Fqinjët thanë se ai ngiste një makinë modeste dhe vetëm kur ai organizoi një festë luksoze për ditëlindjen e vajzës së tij, ata morën vesh për pasuritë e tij.

Por pikërisht kur Morabito e regjistroi vajzën e tij në shkollë me emrin e saj të vërtetë, policia e vuri nën vëzhgim.

Në shtator 2017, kur Morabito u zhvendos në një hotel në kryeqytetin uruguaian, në Montevideo, pasi kishte pasur një sherr me gruan e tij, policia zhvilloi një aksion ku dhe e arrestoi.

Efektivët sekuestruan një armë, 13 telefona celularë dhe 150 fotografi të Morabito-s me madhësi të pasaportës me maska ​​të ndryshme.

Morabito kishte jetuar në Uruguaj për më shumë se një dekadë përpara se të ngjallte dyshime

Megjithatë, ditët e tij në arrati nuk kishin mbaruar ende. Në vitin 2019, pasi kishte kaluar dy vjet në burg në pritje të ekstradimit në Itali, ai u arratis së bashku me tre të burgosur të tjerë nga një vrimë në çatinë e burgut.

Si pjesë e një operacioni policor shumëkombësh të udhëhequr nga Interpoli që synonte të luftonte ‘Ndrangheta-n’, ai më në fund u gjurmua në një hotel në qytetin e João Pessoa në Brazil, nëvitin 2021.

Gjykata e Lartë Federale e Brazilit autorizoi ekstradimin e tij në Itali javën e kaluar.