Amerikanët votojnë në zgjedhjet presidenciale

477
Sigal

Amerikanët po votojnë të martën në gjithë vendin në
zgjedhjet presidenciale, pas një fushate të gjatë dhe të ashpër, pas apeleve të
fundit për votuesit të kandidates demokrate Hillary Clinton dhe atij
republikan, Donald Trump.

Zonja Clinton i quajti
zgjedhjet “sfida e kohës sonë”, ndërsa zoti Trump deklaroi se “sot është dita
jonë e Pavarësisë”. Ata folën në orët e para të së martës, ndërsa dita e tyre e
fundit e fushatës, shkoi përtej mesnatës.

Tubimet, në Karolinën e
Veriut për zonjën Clinton dhe në Miçigan për zotin Trump, po vazhdonin kur
dolën rezultatet e para të votimeve nga Dita e Zgjedhjeve. Zonja Clinton mori
shumicën e votave në qytetin e vogël Dixville Notch në shtetin New Hampshire,
duke fituar ndaj zotit Trump me katër vota ndaj dy të tijave.

Radhë të gjata
votuesish prisnin në shtete si Virxhinia dhe Nju Jork, ndërsa hapeshin qendrat
e votimit.

Rezultatet nga 50
shtete dhe kryeqyteti Uashington, nuk do të shpallen deri pasi të mbyllen
qendrat e votimit në secilin prej tyre. Në orën 8 të mbrëmjes, sipas kohës së
Uashingtonit, qendrat e votimit do të jenë mbyllur në pjesën më të madhe të
zonave lindore dhe qendrore të vendit, të cilat përfshijnë mbi gjysmën e 538
votave elektorale.

Në fjalimin e fundit në
Karolinën e Veriut, zonja Clinton foli për bashkim, duke u thënë përkrahësve të
saj se dëshiron të jetë Presidente si për ata që votojnë në favor të saj, edhe
ata që votojnë kundër.

“Vite më pas, kur fëmijët dhe nipërit e mbesat, t’ju pyesin
se si vepruat në vitin 2016 kur vendosej fati i vendit, do të mund t’u thoni se
votuat për një Amerikë më të fortë, më të drejtë dhe më të mire. Një Amerikë ku
ndërtojmë ura, jo mure dhe ku mund ta vërtetojmë përfundimisht se dashuria
fiton mbi urrejtjen”.

Zoti Trump u tha
mbështetësve të tij në Miçigan se fitorja e tij do të sillte “ndryshim të
vërtetë” në vend dhe do t’i jepte mundësi klasës së mesme që të “refuzojnë” ata
që ai I quajti politikanë të korruptuar dhe grupet e interesave që kanë
mbizotëruar në vend.

“Prandaj, e para gjë që duhet të bëjmë është të heqim qafe
Hillarinë. Ky do të ishte një hap i pare shumë pozitiv”, tha ai.

Zoti Trump bëri
gjitahshtu fushatë në Karolinën e Veriut, Florida, Miçigan dhe Pensilvani, të
gjitha shtete që do të jenë vendimtare për garën.

Zonja Clinton mbajti
një tubim në Filadelfia, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ish-preisdenti
Bill Clinton, e bija Chelsea. Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë Michelle
Obama.

Sondazhet e fundit para ditës së zgjedhjeve,
tregonin se zonja Clinton kishte një epërsi prej 2-3 për qind ndaj zotit Trump.

Dhjetra-miliona
amerikanë përfituan nga mundësia për të votuar herët në shtetet e tyre./VOA/