Aeroplanë dhe anije, si vjen droga nga Ekuadori për në Evropë, bandat shqiptare, kryefjalë e mediave të huaja. Kush është shqiptari që koordinon trafikimin nga burgu

52
Sigal

Vitet e fundit Ekuadori është kthyer në kryeqendrën e kultivimit të kokainës dhe pika, ku ndodh më pas shpërndarja në të gjithë Evropën.

Atje operojnë shumë grupe e banda, mes të cilave dhe ajo shqiptare. Mediat në Spanjë, kanë treguar me emra, fakte dhe rrugën që ndjek droga, që nga prodhimi, transportimi dhe pazaret e bëra, nga vendi i Amerikës së Jugut, për në Evropë.

Sipas mediave në Spanjë, në Evropë, një kilogram drogë kushton rreth 29 mijë dollarë, ndërsa në Ekuador 1700. Pas prodhimit të drogës, ajo ngarkohet në anije e aeroplanë, e nga Manabi shkon drejt vendeve evropiane.

Konfiskimet në Evropë të dërgesave të rëndësishme të kokainës nga Ekuadori, të cilat janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, mbajnë në gatishmëri autoritetet e Gadishullit Ballkanik, të cilat koordinojnë veprimet me DEA të Shteteve të Bashkuara dhe Europol. Të dy njësitë kanë dhënë goditje të forta ndaj këtyre organizatave kriminale, sipas raporteve nga ato njësi.

Pas muajve të parë të pandemisë, në vitin 2020, organizatat kriminale në Ballkan janë më aktive në trafikun e drogës . Disa prej tyre janë bërë rrjete me shtrirje globale. Europol vlerëson se ata janë prapa të paktën 30% të trafikut të kokainës nga Amerika Latine. 129 tonë janë sekuestruar vetëm në vitin 2020, ndërsa në vitin aktual, kapjet i kanë tejkaluar 120 tonë. Ekspertët vlerësojnë që deri në fund të vitit, kjo shifër mund të arrijë në 150 tonë. Media, flet për një sasinë e sekuestruar në Portin e Durrësit më 1 prill të vitit 2021, ku u gjetën të fshehura në një kontejner me banane 49 kilogramë kokainë, e ndarë në 30 pako. Ajo kishte ardhur me adresë të firmës “Ecoalmax”, që i përkiste babait të Arbër Çekajt, Selimit. Ky i fundit u la në arrest në shtëpi, ndërsa në vitin 2018, po për të njëjtën akuzë, iu arrestua edhe i biri, Arbri. Këtij të fundit iu gjetën 619 kg kokainë që vinte nga Ekuadori.

Në median spanjolle, përmendet fakti që gazetarja e “News 24”, Klodiana Lala, ka treguar të gjithë historinë e firmës në pronësi të Çekajt. Në fakt, në shkrim, thuhet se dyshimet e para të DEA-s, për trafikimin e drogës nga bandat shqiptare, por jo vetëm, kanë nisur që në vitin 2011. Asokohe, kreu i DEA-s, Jay Bergman, ka deklaruar kështu për Reuters: “

“Ne kemi raste të krimit të organizuar shqiptarë, ukrainas, Italiane, kineze në Ekuador, të gjitha këto marrin produktin e tyre për t’u shpërndarë në vendet e tyre përkatëse “.

Më tej theksohet, se shqiptarët u bënë shumë aktiv në trafikimin e drogës, e shpërndarjes më pas për në Evropë. Ata kishin krijuar lidhje të forta me prodhuesit e zonës Guayaquil. Një nga arsyet e ekspertëve, se përse grupet gjejnë shumë terren në këtë aktivitet të paligjshëm, janë sistemet e dobëta gjyqësore, e në krye në raport, qëndron Shqipëria.

“Në vitin 2013, kuptuam me të vërtetë problemin serioz me gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë. Ata kapën një ngarkesë të madhe kokaine dhe bosin e madh. Ata e dënuan atë me një vit dhe ende operon”, u shpreh ish-kreu I Antimafias, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Autoritetet në Spanjë, kanë dalë në përfundimin se midis viteve 2017 dhe 2021, në vendin e tyre, kanë hyrë gjithsej 721 shqiptarë, 1.053 bjellorusë, 3.111 grekë dhe 192 malazezë, 30 % e së cilëve merren me trafikun e drogës. Media Spanjolle sjell sërish në vëmendje një investigim të kryer nga gazetarja e “News 24”, Klodiana Lala, e që lidhet me ish-bosin e madh shqiptar të drogës në Ekuador, Adriatik Tresa, 45 vjeç. Ky i fundit u vra në shtëpinë e tij në Bali, nga ekzekutorë që janë larguar më pas me dy makina. Ata ishin paraqitur para Tresës të veshur me uniforma policie.

“Kur ata jetojnë në Shqipëri, ata nuk janë askush … Ata jetojnë në lagje të thjeshta, në shtëpi modeste, pinë kafe në bare të humbura. Kur udhëtojnë për në Ekuador ata ndryshojnë plotësisht stilin e tyre të jetesës, duke jetuar në rezidenca luksoze. Tresa, e cila ishte e fundit Një herë në Shqipëri në 2011, ai u specializua në kryerjen e vrasjeve me pagesë, “theksoi gazetarja Klodiana Lala.

Sakaq, ekspertët e policisë janë të mendimit se një pjesë e madhe e trafikimit të drogës, koordinohet nga brenda qelive, e këtu futet në lojë një tjetër shqiptar, i quajtur Dritan Rexhepi. Ky i fundit e vuan dënimin prej 13 vitesh në burgun e Cotopaxi në Ekuador. Ai është arrestuar në vitin 2014, në vazhdën e një operacioni të ashtuquajtur “Ballkanik”.

Gjithashtu, Rexhepi njihet si një kreu i organizatës “Kompania Bello”. Rexhepi sipas tyre, përdor mjete të sofistikuara e të koduara, për të koordinuar operacionet e drogës, e gjithashtu, se ai komandon sërish organizatën e tij, pavarësisht se ndodhet I mbyllur në dyert e qelive.