17 të vdekur nga zjarret në Kaliforni

611
Zjarret në Kaliforninë veriore kanë lënë të vdekur 17 vetë dhe kanë shkatërruar rreth 1,500 shtëpi dhe biznese, thonë autoritetet. Zjarret janë përhapur edhe në Kaliforninë jugore, në një zonë në jug të Los Anxhelosit. Mijëra banorë u detyruan të evakuoheshin për t’i shpëtuar zjarrit që po përhapej me shpejtësi. Disa banorë të kësaj zone kanë humbur shtëpitë dhe gjithçka që kishin në pronat e tyre.
Skenat e shkatërrimit të lëna pas nga zjarret duken sikur zona të goditura nga bombardime masive.
Kjo familje u kthye pranë rrënojave të shtëpisë së tyre në jug të Los Anxhelosit të martën. Ata ndjehen me fat që janë gjallë.
“Ne jemi me fat. Unë nuk shoh shkatërrim, por mundësi. Në fund të fundit, është e rëndësishme që të gjithë jemi të sigurtë. Kjo mund të rindërtohet”, thotë Erin Williamson, banore e Anahajmit.
Disa nga 14 vatrat e zjarrit që filluan të dielën vonë në Kaliforninë veriore ende nuk janë shuar plotësisht. Distriktet Napa, Sonoma, Lake dhe Mendocino janë ndër më të goditurat. Banorët nga këto zona u evakuan në strehimore të ndryshme, si kjo në San Rafael, në veri të San Franciskos.
“Ajo që përjetuam ishte e tmerrshme. Të dielën në mbrëmje ne u zgjuam nga shkëlqimi i zjarrit që vinte nga veriu dhe kishim vetëm pak minuta kohë për të zgjuar fëmijët nga gjumi dhe për t’u larguar nga shtëpia. Zgjuam nga gjumi edhe komshiun tonë. Ishte një situatë kaotike”, thotë Todd Coughey, banor i Kenwood-it.
Një zyrtar lokal i shëndetit publik i tha Zërit të Amerikës se sasia e madhe e donacioneve ka tejkaluar nevojat që kanë qendrat e strehimit.
“Tani duam t’i ndihmojmë njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre. Një ekip punonjësish socialë do të vizitojë strehimoret dhe do të bisedojë me familjet individualisht për të identifikuar nevojat e tyre, si dhe planet që kanë dhe nëse ne mund t’i ndihmojmë të gjejnë një vend të sigurt banimi”, tha Matt Willis, zyrtar i shëndetësisë në distriktin Marin.
Bob Koughenour dhe bashkëshortja e tij kaluan natën këtu dhe tani janë duke pritur të mësojnë se kur do të mund të kthehen në shtëpinë e tyre në Kenwood.
“Zjarret rreth zonës ku jetojmë ende nuk janë vënë nën kontroll, kështu që ata nuk i lejojnë njerëzit të kthehen në lagjen tonë. Pra, ky nuk është lajm i mirë”.
Spitali i Santa Rosës të hënën vendosi të evakuonte pacientët kur zjarri iu afrua shumë ndërtesës.
“Ne kemi patur rreth 30 pacientë në repartin e urgjencës dhe rreth 100 të tjerë në spital, duke përfshirë pacientët nën kujdes kritik, gra shtatëzëna, gra që sapo kishin lindur, foshnje dhe pacientët që kishin patur ndërhyrje kirurgjike. Ne mobilizuam të gjithë personelin e spitalit, përfshirë infermierët, mjekët dhe punonjësit e tjerë për t’i përgatitur pacientët për evakuim”, tha Dr. Joshua Weil.
Zyrtarët e shtetit thonë se ky është zjarri më vdekjeprurës në historinë e Kalifornisë dhe se numri i viktimave pritet të rritet. Presidenti Trump ka miratuar fonde federale për të ndihmuar zonat e prekura në Kaliforni.
Sigal